Biletat për ndeshjen Kosovë-Mali i Zi kanë dalur në shitje sot prej orës 16:00, derisa pas vetëm 30 sekondave nuk ka pasur as edhe një biletë të qasshme, shkruan Ballkani.info.

“Sold Out” i menjëhershëm që ka ngritur dyshime për parregullsi në shitjen online të biletave që u bë përmes faqes www.tiks.app.

Kujtojmë se biletat e “El Clasico” mes Barcelonës dhe Real Madridit nuk shiten me këto ritme, ndërsa në derbin e Italisë që u zhvillua këtë javë ndërmjet Interit dhe Juventusit, kishte bileta në treg deri një ditë para se të luhej ndeshja.

Interesimi për të shikuar ndeshjet e Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk ka dyshim se është i madh, por të shiten të gjitha biletat porsa dolën në treg ngrit dyshime. Shto këtu faktin se ka pasur shqetësime për shitje të biletave në treg të zi në takimet e kaluara të Kosovës, meqë rast çmimet e biletave kanë kushtuar dyfish më shtrenjtë.

Përballja Kosovë-Mali i Zi luhet me 14 tetor duke filluar prej orës 20:45, ndërsa ky ballafaqim ka rëndësi të madhe për “Dardanët” që ndodhen në vendin e tretë në grup me 8 pikë, një më pak se Çekia, kombëtare me të cilën do të takohet muajin e ardhshëm, sfidë e cila mund të përcaktojë skuadrën e dytë (pas Anglisë) që do të kualifikohet në EURO 2020. /Ballkani.info/

loading…