Mbrojtësi portugez

Pepe largohet nga Besiktasi pas problemeve financiare te klubi turk

Besiktasi ka konfirmuar shkëputjen e kontratës me mbrojtësin portugez, Pepe, pas problemeve financiare nëpër të cilat po kalon gjigandi turk.

35 vjeçari iu bashkua Besiktasit në verën e vitit 2017 si transferim i lirë nga Real Madridi, pasi që i kishte kaluar 10 vite te “Los Blancos”, ndërsa te 15 herë kampionët e Turqisë kompletoi 23 paraqitje në sezonin e tij të parë të plotë.

Gjatë këtij edicioni, Pepe është aktivizuar në 10 ndeshje të Superligës turke, me ndeshjen e fundit që daton në 11 nëntor në humbjen ndaj Sivassporit 1-2.

Besiktasi po përballet me një krizë financiare derisa është futur në një periudhë ku synon t’i ulë shpenzimet për paga.

“Besiktasi dhe Pepe e kanë shkëputur kontratën në mënyrë të dyanshme. Klub falenderon yllin portugez për mundin e tij dhe i dëshiron fat në vazhdim të karrierës”, shkruhet në komunikatën e Besiktasit.

Edhe Pepe falenderoi klubin dhe tifozët duke iu uruar më të mirën për të ardhmen teksa shtoi se nuk do ta harrojë kurrë këtë eksperiencë.

Raportohet se Pepe i pagoi stafin shërbyes të klubit para shkëptujes së kontratës, ndërsa ish mbrojtësi i Real Madridit paguhej 9.5 milionë euro.

Spekulohet se e ardhmja e Pepes do të jetë te Porto, atje ku kishte luajtur më herët për 3 vite nga 2004-2007.