“Pendohet” Mehmet Kraja, i fshin emrat e Thaçit e VV-së dhe e shkurton për 3 faqe analizën

“Analiza” e Mehmet Krajës e postuar më 23 nëntor po vazhdon të ndryshohet. Tashmë analiza aktuale është 3 faqe më e shkurtër se versioni i parë për të cilin kishte raportuar gazeta Nacionale më 21 dhjetor. Nga 39 faqe sa kishte në fillim, analiza e Krajës është tkurrur në 36 faqe. Në versionin e fundit, që mban emrin e kryeakademikut, Kraja është përkujdesur të redaktojë disa pjesë të diskutueshme e të kritikueshme gjërësisht në opinionin publik.

Për më shumë, ishte vetë Kraja që në një postim në profiling e tij në Facebook, shkroi se version i parë ishte i “paredaktuar”.

“Ndërkaq, gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar.” – shkroi ai.

Ai ka hequr emrin e përveçëm të Hashim Thaçit, ish-president dhe ish-kryeministër i shtetit kosovar, të cilin e akuzonte për përkrahje ndaj “idesë për ndarjen e Kosovës”. Edhe disa terme tek pjesa mbi Gjykatën Speciale ka ndryshuar, përfshirë heqjen e akuzës ndaj BE-së për përdorim të Speciales si argument për të zhvlerësuar pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë në tekst vazhdon të jetë akuza kundrejt politikanëve të UÇK-së se “uzurpuan” pushtetin dhe krimet e ndryshme, të cilat sipas Krajës “mund të kualifikoheshin” si krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Çka ndryshoi?
Së paku, dy ndryshime të mëdha kanë ndodhur. E para, në tekst më nuk gjendet emri i Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës. Po ashtu më në tekst nuk ekziston as emri i Ali Ahmetit, shefit të BDI-së, tek pjesa e idesë së ndarjes së Kosovës.

“Pasi u kuptua se ish-liderët e UÇK-së mund të ishin objekt i Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket emisarëve “diplomatikë”, të cilët filluan të lëviznin me një 32 shpejtësi në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim. Disa kancelari diplomatike perëndimore këtë rrethanë e panë si “mundësi të artë” për një zgjidhje të shpejtë të “çështjes së Kosovës”, kështu që në prapaskena i dhanë mbështetje kësaj ideje, duke përdorur një frazë të këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje qoftë edhe përmes ndarjes, ne nuk kemi arsye të mos e mbështesim atë. Por, siç do të shihet më vonë, situata në terren brenda vetë Kosovës nuk ishte aspak e tillë: opinionin publik mbeti pothuajse unik kundër ndarjes së Kosovës. Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një agjendë të këtillë nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në Maqedoninë e Veriut.” – thuhet në versionin aktual (që nuk dihet nëse do të jetë version i fundit).

Në versionin aktual, emri i Thaçit, që figuronte në versionet e mëparshme, është zëvendësuar me togfjalëshin “ish-liderët e UÇK-së”. Sa për ilustrim, kështu dukej paragrafi para se Kraja ta ndryshonte atë:

“Pra, pasi u kuptua se Thaçi mund të ishte objekt i Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket emisarëve “diplomatikë”, të cilët filluan të lëviznin me një shpejtësi të jashtëzakonshme në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim. Impenjimin e madh të Thaçit dhe natyrën e tij autokratike të sundimit në Kosovë, disa kancelari diplomatike perëndimore e panë si “mundësi të artë” për një zgjidhje të shpejtë të “çështjes së Kosovës”, kështu që në prapaskena i dhanë mbështetje idesë së tij, duke përdorur një frazë të këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje qoftë edhe përmes ndarjes, ne nuk kemi arsye të mos e mbështesim një zgjidhje të tillë”.

Kraja është tërhequr edhe nga akuza për ndihmë për idenë e ndarjes së Kosovës ndaj Ali Ahmetit, liderit të BDI-së. Edhe në këtë rast, Kraja ka vepruar njëjtë sikurse në rastin e Thaçit, duke e zëvendësuar emrin e Ahmetit me fjalinë “disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut”.

Kështu duket pjesa në versionin përfundimtar të analizës së Krajës, ku dikur përfshinte emrin e Ahmetit:

“Disa kancelari diplomatike perëndimore këtë rrethanë e panë si “mundësi të artë” për një zgjidhje të shpejtë të “çështjes së Kosovës”, kështu që në prapaskena i dhanë mbështetje kësaj ideje, duke përdorur një frazë të këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje qoftë edhe përmes ndarjes, ne nuk kemi arsye të mos e mbështesim atë. Por, siç do të shihet më vonë, situata në terren brenda vetë Kosovës nuk ishte aspak e tillë: opinionin publik mbeti pothuajse unik kundër ndarjes së Kosovës. Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një agjendë të këtillë nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në Maqedoninë e Veriut.”

Ndërsa para redaktimit, Kraja e akuzonte me emër z. Ahmetin.

“Ai kishte arritur të dominonte disa medie proqeveritare, kishte arritur të krijonte një mbështetje të brendshme kryesisht përmes formave korruptive të pushtetit, por nuk kishte arritur të ndryshonte opinionin publik, i cili në një masë të madhe ishte kundër ndarjes së Kosovës. Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut (Ali Ahmeti), se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një ndarje të Kosovës nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në këtë “kërthizë” të Ballkanit Perëndimor.” – e akuzonte Kraja, Ahmetin, i cili dy ditë më parë e dha një përgjigje për akuzën ndaj tij.

Ndërsa ndryshimi i dytë ka të bëjë me Lëvizjes Vetëvendosje. Tashmë Kraja nuk e sheh VV-në si pushtet llogaridhënës që rrezikon “oligarkitë ekonomike” në Shqipëri. Ja çfarë shkruante Kraja për LVV-në në versionin e parë, të cilin e ka ruajtur Nacionale:

“Por, mbi të gjitha, një “dalje emergjente” nga raporti sadopak i ngushtë Shqipëri-Kosovë, së fundi ka një prapavijë tjetër: evitimin me çdo kusht i ndikimit poliitk të Kosovës në Shqipëri. Nuk është vetëm ideja e bashkimit kombëtar ajo që trondit klasën politike të Shqipërisë (bashkimi kombëtar për pikëpamjen e shumicës në Tiranë do të prishte balancën e brendshme veri-jug), siç supozohet ndonjëherë, por më shumë idetë e vendosjes së një pushteti të llogaridhënies, ashtu siç pretendon të jetë pushteti i “Vetëvendosjes” në Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë përmbysje eventuale të pushtetit aktual në Tiranë, sepse shtrirja politike e “Vetëvendosjes” në Shqipëri është e papërfillshme, por me frikën e gjithë spektrik politik të Shqipërisë për një trend të mundshëm, i cili në një të ardhme afër do të rrezikonte pasurinë kriminale dhe pozitën shoqërore të oligarkëve të Shqipërisë.” – shkruante në analizën e Krajës në versionin e parë.

Por i njëjti paragraf nuk ekziston më.

Kujtojmë që analiza e Krajës ka ngjallur debate të mëdha në shoqërinë kosovare. Madje Seksioni i Shkencave Shoqërore të AShAK-ut ka reaguar publikisht në lidhje me këtë çështje, duke bërë edhe disa akuza në adresë të Krajës.

“Seksioni i Shkencave Shoqërore distancohet nga Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare elektronike të AShAK dhe sqaron se ai është tekst i Kryetarit të Akademisë, z. Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga Procesverbali i mbledhjes së 26 janarit 2022!” – thuhej në komunikatën për media të Seksionit të Shkencave Shoqërore në AShAK./nacionale/