Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot në orën tre pasdite do t’i dorëzojë Talat Xhaferit mandatin për formimin e Qeverisë teknike për zbatimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Sot, më 26 janar 2024, në ora 15:00, Presidenti Stevo Pendarovski do t’ia dorëzojë mandatin Talat Xhaferit për përbërjen e qeverisë së përkohshme për zbatimin e zgjedhjeve parlamentare”, njoftuan nga Kabineti i Presidentit të Maqedonisë së Veriut.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më herët deklaroi se kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i kanë përfunduar mandatet, transmeton Ballkani.info.

Kovaçevski (LSDM) dhe Xhaferi (BDI), të cilët sipas marrëveshjes së dy partive kryesore të koalicionit qeveritar do të jenë mandatar; dorëheqjen e kanë dorëzuar dje si hapin e parë drejt zgjedhjeve.  Qeveria kalimtare do të votohet të dielën, më 28 janar, dhe mandatin do ta ketë 100 ditë deri në zgjedhjet parlamentare.

Sipas planit të paralajmëruar nga Xhaferi dy ditë më parë, ai nesër në mëngjes duhet të dorëzojë në Kuvend programin dhe përbërjen e qeverisë me programin e punës, ndërsa seanca zgjedhore do të mbahet të dielën më 28 janar.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas Ligjit për Qeverinë, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare formohet një qeveri teknike, në të cilën partia më e madhe opozitare merr dy ministra – ; për punët e brendshme dhe për punën dhe politikën sociale dhe tre zëvendësministra – për financat, për shoqërinë e informacionit, administratën dhe për bujqësinë.

Sipas marrëveshjes së partive parlamentare, zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj të mërkurën, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut do të mbahet të mërkurën, më 24 prill. /Ballkani.info/