Penalltia e Alvarez nuk bind ish-arbitrat e ish-yjet e futbollit, protestë kroato-angleze: Pepe kishte të drejtë

Ndonëse nuk u pa ndonjë shenjë e madhe proteste nga lojtarët e Daliçit në fushë, dy ish-arbitra kroatë janë kundër akordimit të penalltisë, pas kontaktit Alvarez-Livakoviç.

“Sipas meje nuk ishte penallti. Orsato gaboi në gjykim, sepse Livakoviç nuk i shkon drejt lojtarit për të frenuar. Ai u ndal në vend, teksa argjentinasi goditi keq topin. Ishte Alvarez që i ngeci në këmbë Livakoviçit, ndaj është gabim i madh”, tha Goran Tenzera.

Ndërkohë shumë më i ashpër gjykimi i ish-gjyqtarit tjetër kroat, Bruno Matiç: “Nuk ishte penallti, por mesa duket Pepe (mbrojtësi i Portugalisë) kishte të drejtë kur tha se duan të dërgojnë Mesin në finale me çdo kusht”.

Por edhe pse kjo duket një irritim kroat, edhe anglezët Ian Rajt, Geri Nevill e Roi Kin nuk janë për penallti: “Ku të shkojë portieri, teksa ishte i ndalur në vend?! Ai që e godet Livakoviçin është Alvarez, prandaj për mua është faull në sulm”, tha Rajt, teksa Nevil e Kin aprovuan.