Legjenda e Brazilit, Pele, ka mbështetur Liverpoolin për të fituar Premier League, edhe pse u ndal në barazim nga Evertoni, të dielën.
Disa tifozë të “The Reds” mund të jenë të shqetësuar me mbështetjen që iu jepet nga fituesi i Kupës së Botës, sepse historia ka treguar se atij nuk i dalin parashikimet.
Situata në “Anfield” tashmë është mjegulluar, pas barazimit pa gola në derbin e “Merseyside”, çka bëri që Manchester City të ngjitet në vendin e parë. Përkundër këtij zhgënjimi, Pele ka publikuar një “tweet” të hënën: “Ditëlindje e lumtur për heroin e Liverpoolit, Kenny Dalglish, unë e mbështeta @LFC për të fituar Premier League që në fillim. Ende mendoj se do ta bëjë këtë”.
Gara për vendin e parë në Premier League është ende shumë e ngushtë, me “qytetarët” e Pep Guardiolës vetëm një pikë më tepër se “The Reds”. Disa e konsiderojnë mbështetjen e Pele si një “puthje vdekjeje” për Liverpool. Një nga gabimet më të mëdha të ish sulmuesit brazilian ishte pohimi i tij se një ekip afrikan do ta fitonte Kupën e Botës deri në vitin 2000.
Ky parashikim tani ka 19 vjet që është bërë dhe asnjë skuadër afrikane nuk ka kaluar në etapën e fundit të një kompeticioni global. Pele, një herë tjetër bëri parashikimin se kombëtarja e vendit të tij do të rrëzohej që në fazat e grupit, gjithashtu. Kjo ndodhi më 2002, kur në fakt Brazili e fitoi Botërorin e atij viti.
Parashikimet e pasakta të Pele kanë përfshirë edhe karrierën e disa yjeve të rinj të futbollit. 72-vjeçari e konsideroi Nii Lamptey si “Pele i ri”, pasi kishte shkëlqyer me Ganën në Kupën e Botës U-17, në vitin 1991. Realiteti tregoi se Lamptey luajti në klube të dorës së dytë, si Coventry City, Aston Villa dhe PSV.
Nick Barmby u “njollos” nga e njëjta “furçë”, kur Pele tha se do të bëhej një lojtar i klasit botëror dhe e krahasoi atë me Zinedine Zidane dhe Paolo Maldini. Edhe në këtë rast, Pele nuk “goditi në shenjë”.







