Ylli i Paris Saint Germain, Neymar u kritikua ashpër për simulimet e tij gjatë Kampionatit Botëror, gjersa ka mbërritur një këshillë nga bashkëkombasi dhe legjenda e futbollit, Pele që mendon se 26 vjeçari duhet të fokusohet më tepër në përdorimin e talentit të tij.
Pele nuk arrin t’i arsyetojë veprimet teatrale të Neymarit teksa e ka ftuar ish lojtarin e Barcelonës t’i shfaq afësitë e tij.
“Është e vështirë për t’i mbrojtur gjithë ato gjëra që Neymar i bën e që nuk kanë lidhje me futbollin. Kam folur me të dhe i kam rikujtuar afësitë e tij. Ai ishte i pafat sepse Brazili nuk e fitoi Kupën e Botës. Kam qenë me të në Europë dy herë, ne folëm dhe dhe unë i sqarova se ‘Zoti i Futbollit’ i ka dhënë një dhuratë, por që ai e komplikon duke u marrë me gjëra tjera”, zbuloi Pele.
Legjenda e futbollit mendon se Neymar është më i mirë se bashkëlojtari i tij te PSG, Kylian Mbappe me këtë të fundit që e fitoi çmimin “Kopa” që ndahet për futbollistin më të mirë nën moshën 21 vjeçare.
“Njerëzit më krahasojnë mua me Mbappen dhe aty ka disa ngjashmëri. Ai është 19 vjeçar dhe e ka fituar Kupën e Botës. Mendoj se Neymari është lojtar më i kompletuar se ai, por në Europë të gjithë flasin më shumë për Mbappen”, përfundoi Pele.
78 vjeçari ka siguruar se gjendja e tij shëndetësore është e mirë pavarësisht se gjatë këtij viti ka pasur disa probleme teksa shpesh është dashur ndërhyrja përmes operacionit.







