Pejës i takon ndeshja e parë në turneun e Ligës Unike, mposhtë Vllazninë

Peja e ka fituar ndeshjen e parë në Ligën Unike të basketbollit, përkatësisht në turneun që i paraprinë edicionit të parë të Ligës së përbashkët të Kosovës e Shqipërisë.

Në çerekfinale të turneut të Ligës Unike, Peja të martën e mposhti Vllazninë e Shkodrës me rezultat 90:73.

Ndeshja u luajt në palestrën në Rahovec ku do të luhen edhe dy çerekfinalet tjera, të mërkurën.

Nga ora 16:00 takohen Goga Basket e Tirana, kurse ndeshja Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli luhet prej orës 19:00.

Të martën është dashur të luhet edhe takimi tjetër çerekfinal në mes të Rahovecit dhe Teutës së Durrësit. Por, Teuta ka hequr dorë nga ky turne, duke fajësuar organizatorin për nguti. Kështu që në nismë të Ligës Unike janë paraqitur probleme.

Por, nuk kishte probleme për Pejën që ta fitoj ndeshjen e së martës. Brandon Walters udhëhoqi skuadrën pejane drejt fitores. Ai realizoi 23 pikë e plot 15 kërcime. Kapiteni Dardan Berisha kontribuoi me 26 pikë e pesë asistime. Laron Dandy shtoi 12 pikë e nëntë kërcime. Jeron Cooper u shqua te Vllaznia me 21 pikë e shtatë kërcime.

Peja në gjysmëfinale do të takohet me Rahovecin. Gjysmëfinalet luhen më 13 prill, ndërsa finalja më 14 prill. Gjysmëfinalet dhe finalja luhen në Durrës.