Peja me mungesa, por kërkon fitore në ndeshjen e tretë

Trajneri i Pejës, Dragan Radoviq, e ka parasysh se vetëm fitorja ndaj Golden Eagle Yllit në ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit e mban ekipin e tij në garë për titullin e kampionit. Megjithatë, ai pranon se nuk do të jetë lehtë për shkak se edhe në këtë ndeshje do të ketë mungesa.

Pas dy ndeshjeve të zhvilluara në serinë finale, Ylli avancon me rezultatin 2:0 dhe i nevojitet vetëm edhe një fitore për ta fituar titullin e kampionit. Dueli i tretë final luhet të martën mbrëma në Pejë.

Skuadrës pejane për këtë ndeshje do t’i kthehet plejmejkeri amerikan, AJ Walton, që ishte i suspenduar për dy duelet e para, derisa pritet t’i mungojnë Laron Dendy e Leonard Mekaj për shkak të lëndimeve.

“E kemi parasysh që fitorja na mbanë në garë për titullin e kampionit dhe është e sigurt se përderisa e kemi rastin për një gjë të tillë, do të japim gjithçka nga vetja. Për fat të keq, prej fillimit të serisë finale nuk kemi qenë të kompletuar dhe nuk pritet të jemi as në ndeshjen e tretë. Kthehet Waltoni, por pritet të mungojnë Mekaj e Dendy”, ka thënë Radoviqi. “Nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm se në ndeshjen e tretë të mos kursejmë asgjë nga vetja për të arritur deri te fitorja. Lodhja është evidente te lojtarët e të dy ekipeve për shkak të orarit të ngjeshur dhe nuk është vështirë të mbahet një ritëm i tillë. Shpresoj që do të vazhdoj seria finale pas ndeshjes së tretë”.