QIKA

“Peceta nuk është lluks- ministër dil nënshkruaje”: “QIKA-t” dorëzojnë peticionin me 7500 nënshkrime Hekuran Muratit

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, ka organizuar aksion simbolik lidhur me taksën për produkte menstruale.

Medina Dauti, nga organizata “QIKAT”, ka thënë se ministrit Hekuran Murati ia sollëm 7,500 nënshkrimet e peticionit “Peceta nuk është luks”.

“Sot, ministrit Hekuran Murati ia sollëm 7,500 nënshkrimet e peticionit “Peceta nuk është luks” për t’ia kujtuar vullnetin e qytetareve te Kosovës që vitin e kaluar kanë kërkuar heqjen e taksës prej 18% për produkte menstruale.

Simbolikisht, ia sollëm edhe vendimin qe Murati do te duhej te kishte vete guximin dhe vullnetin qe ta hartonte”, ka deklaruar Medina Dauti, nga Organizata “QIKAT”.

Ajo ka thënë se taksimi i produkteve menstruale ishte seksist.

“Taksimi i produkteve menstruale ishte seksit. Shteti po takson funksionimin normal fiziologjik te grave dhe te gjithë personave që menstruone. Menstruacionet nuk janë zgjedhje, as higjiena menstruale nuk është luks, e si te tilla nuk mund te taksohen. Pasojat ekonomike të këtij taksimi prekin drejtpërdrejtë gratë, e sidomos ato nga familjet e varfra te cilat janë veçanërisht te goditura” ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ministri Murati nuk e tha as edhe një fjalë në publik për këtë çështje.

“Përkundër kërkesave të aktivisteve feministe për heqjen e taksës, Murati nuk e tha as edhe një fjale ne publik për këtë çështje. Ministër, nuk mund te qëndrosh indiferent dhe te mos flasësh mbi varfërinë menstruale. Ajo ekziston”, ka deklaruar ajo.

Medina Dauti, nga QIKA beson se taksa e cila thellon pabarazitë gjinore ekzistuese ishte antikushtetuese dhe e kundërligjshme, andaj duhet te largohet menjëherë.

“Arsyetimin politik, bazën ligjore, lapsin.. te gjitha i ke këtu. Ministër merre guximin e dil nënshkruaje vendimin!. Qasja ne produkte menstruale është e drejte bazike, jo privilegji”.

Organizata jo-qeveritare “Qendra për Informim dhe Këshillim për Gratë” (QIKA), vitin e kaluar ka nisur një peticion në Kosovë për të hequr taksën prej 18% mbi produkte menstruale.

Shteti i konsideron këto produkte si jo-esenciale dhe, kështu, i detyron gratë në Kosovë të paguajnë taksën për to. Kjo është një çështje që po ngritet gjithnjë e më shumë në shkallë globale, pasi gratë dhe personat që janë me menstruacione janë duke kërkuar barazi në trajtimin e tyre shoqëror dhe ligjor.

Në Kosovë, shumë gra nuk mund të përballojnë kostot e produkteve menstruale dhe kjo i detyron ato të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin gjatë ciklit menstrual. Kjo është një situatë jo vetëm diskriminuese, por edhe e rrezikshme për shëndetin e grave dhe personave që menstruojnë. Në këtë kohë, qasja në peceta menstruale dhe produkte të tjera të nevojshme është një çështje e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore.

Cilat vende e kanë hequr taksën për produktet menstruale?

Që nga koha kur Kenia u bë vendi i parë që hoqi TVSH-në për produktet menstruale, në vitin 2004, të paktën 17 vende e kanë ndjekur këtë shembull, sipas një studimi nga Fondacioni Thomson Reuters.
Ndër vendet e fundit që miratuan ligje për heqjen e kësaj takse janë Meksika, Britania dhe Namibia.

Dhjetë vende të tjera i kanë klasifikuar produktet higjienike si mallra të përjashtuara nga taksa, ose lëndën e parë, e cila importohet, dhe më pas përdoret për prodhimin e tyre, nuk e taksojnë.

Edhe pse Tanzania dhe Nikaragua gjithashtu kishin hequr taksën për produktet menstruale, të dyja vendet e rikthyen atë në 2019. Kryesisht në Evropë, 17 vende kanë ulur TVSH-në për produktet higjienike, dhe Italia është vendi i fundit që e ka bërë këtë gjatë këtij viti.

Bëjmë të ditur se Britania e Madhe dhe Skocia, kanë shfuqizuar taksën për produktet menstruale, që ndryshe është njohur si “taksa e tamponit”. Që nga viti 2021 produktet menstruale janë falas në këto shtete.

Në 2022, Bashkimi Evropian e rishikoi një direktivë që më parë lejonte vetëm shtetet anëtare të reduktonin TVSH-në për produktet higjienike në 5 për qind. Ndryshimi do të thotë se shtetet tani mund të aplikojnë norma më të ulëta tatimore për disa mallra.
Në Kenia, shpërndarja falas e produkteve menstruale nëpër shkolla përfshihet në buxhetin vjetor, megjithëse aktivistët thonë se furnizimi është i mangët.
Nxënëseve në Afrikën e Jugut, Botsvana dhe Zambia u ofrohen këto produkte falas./Ballkani.info