LAJMI I FUNDIT

PE do të votojë për Rezolutën dhe sulmin në Banjskë më 19 tetor, Picula thotë se duhet të ketë pasoja për Serbinë

Parlamenti Evropian do të votojë për Rezolutën për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe incidentet në fshatin Banjskë në seancën e dytë të tetorit të Parlamentit të BE-së të enjten, më 19 tetor në mesditë, njoftoi Parlamenti Evropian.

Siç mëson N1, prezantimi i projekt-rezolutës, që është në fazën e përgatitjes, dhe negociatat e para të grupeve politike për tekstin përfundimtar do të zhvillohen mbrëmjen e së hënës në Strasburg, në margjinat e seancës plenare të Parlamentit të BE-së, transmeton Ballkani.info.

Rezoluta është iniciuar nga grupi politik i socialdemokratëve në PE, pasi mendojnë se situata në Kosovë është “jashtëzakonisht shqetësuese”.

“Sulmi i fundit terrorist ndaj policëve të Kosovës, i cili u krye nga një bandë e armatosur serbe, duhet të ketë pasoja politike,” tha deputeti i S&D, Tonino Picula.

Ai beson se është arritur një “pikë kthese e paprecedentë” dhe rithekson se zgjidhja e vetme është normalizimi i marrëdhënieve përmes kompromisit.

“Për këtë na duhet një hetim dhe ndjekje e duhur, pa përshkallëzim të mëtejshëm dhe kthim të të dyja palëve në dialog me ndihmën e BE-së. Në këtë kontekst, Parlamenti Evropian duhet të bëjë thirrje edhe për vendosjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Serbisë, të paktën ato të vendosura kundër Kosovës”, përfundoi Picula.

Në një debat që u fut në minutën e fundit në agjendën e seancës së fundit plenare të Parlamentit të BE-së, të martën e kaluar deputetët dënuan ashpër dhunën në Banjskë dhe i bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që t’i kthehen dialogut nën kujdesin e BE-së për të normalizuar marrëdhëniet.

Deputetët presin që përgjegjësit e sulmeve të dalin para drejtësisë dhe kërkojnë që Serbia të bashkëpunojë pa kushte në hetimin e incidentit të 24 shtatorit ku mbetën të vrarë një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë. /Ballkani.info/