PDK kujton Rexhep Malën e Nuhi Berishën: Frymëzuan breza për lirinë e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës, në 38-vjetorin e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës kujtoi veprën e të dy dëshmorëve duke thënë se ishin ndër trimat patriotë që, nëpër dekadat e përpjekjeve të popullit të Kosovës për çlirim, zemra u rrihte vetëm për Atdhe.

PDK shtoi se Mala e Berisha u bënë frymëzim për breza të tërë të cilët luftuan për lirinë e Kosovës.

“Në historinë e lavdisë së Kosovës, që të dy zënë vend në piedestal. Si intelektualë, veprimtarë e organizatorë të aktiviteteve kundër pushtuesit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha frymëzuan breza të tërë të të rinjve e të rejave në luftën për liri. Në këtë ideal, në luftë frontale me policinë serbe, të dy ranë dëshmorë në mesnatën e 11 janarit të vitit 1984, për t’u shndërruar në flakën e pashuar të janarit, e cila ndriçoi rrugën e secilit atdhetar deri në ditën e çlirimit. Lavdi jetës dhe veprës së heronjve tanë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.