PDK-ja akuzon Vetëvendosjen se po përfiton nga tenderët në kohën e pandemisë

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar qeverinë komunale të Prizrenit që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje për keqpërdorime në tenderë në kohë pandemie. Sipas partisë opozitare, këto veprime kërkojnë angazhimin e Prokurorisë së shtetit për të hetuar korrupsionin e keqpërdorimin.

PDK-ja konsideron se tenderi “Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Korona virusi në komunën e Prizrenit”, në shumën prej 102.040 euro, shoqërohet me parregullsi.

“Në këtë kontratë, duket qartë që çmimet janë shumë herë më të larta se çmimet normale që ekzistojnë në tregun e lirë sot, si dhe krahasuar me çmimet e të njëjtave produkte të kontratave të lidhura deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë dhe komunat tjera në Kosovë. Ajo që e bën këtë kontratë edhe më të dyshimtë dhe shkeljen edhe më flagrante, është fakti që këtë tender e ka fituar kompania “EKA TRADEING” SH.P.K. e cila ka një fushë-veprimtarie që nuk lidhet me materialet që përfshihen në këtë tender dhe është themeluar vitin e kaluar”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Për këtë subjekt ky veprim po bëhet pikërisht në një periudhë emergjente të luftës kundër koronavirusit. Sipas partisë opozitare ky veprim korruptiv nuk është rast i veçuar në Prizren, pasi që lidershipi komunal mban në detyrë disa drejtorë me aktakuza.

KOHA ka raportuar se kontrata e nënshkruar nga Komuna e Prizrenit për furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi ka ngjallur dyshime për shkak të çmimeve të blerjes së disa produkteve. Aktivistë të shoqërisë civile kanë pohuar se organet e drejtësisë duhet ta hetojnë këtë kontratë.

Në anën tjetër drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu lidhur me këtë aktivitet të prokurimit pat theksuar se të gjitha produktet i kanë specifikat e veta dhe se ato mund të dallojnë nga prokurimet e realizuara në komunat tjera.

“Ka maska me centë, pastaj me euro, apo edhe me 31 euro që janë shumëpërdorimëshe, mirëpo që janë me njësi matëse me pako dhe jo me copë. Ka tesha mbrojtëse për COVID që janë njëpërdorimshme, por ka edhe të tillë që janë shumëpërdorimëshe, prandaj nuk e kanë çmimin e njëjtë. Secila në kontratë e ka specifikën e vet, bazuar në standarde përkatëse ndërkombëtare”, ka thënë Shehu.

Sipas tij, në këtë rast DSH-ja ka qenë vetëm njësi kërkuese, derisa “negocimin e ka bërë Zyra e Prokurimit”.

Komuna e Prizrenit është pajtuar që 600 maska për fytyrë FFP2-FP2 ti blejë me çmimin 8.9 euro për copë, pastaj 1.000 tesha me mbulim të plotë me certifikim të CE me çmimin 25 euro për copë, 1.000 mantila njëpërdorimësh për çmimin 3.7 euro për copë.

Kjo komunë ka arritur marrëveshje që të blejë 200 maska mjekësore për fytyrë me çmim 31 euro për copë, si dhe dezinfekcient për duar 200 litra, me çmimin 14 euro për litër.

Gazeta ka gjetur se Komuna e Dragashit me procedurë të ngjashme të prokurimit, është pajtuar që maskat FFP22 me filter t’i blejë për 3.8 euro copën, derisa maskat FFP3 me filter i ka blerë për 7 euro copën. Veshjet komplet, por të madhësive të ndryshme i ka blerë 10 euro copën.

Ndërsa Komuna e Prishtinës është pajtuar që maskat FFP2 ti blejë 8.5 euro copën, derisa veshje mbrojtëse për tërë trupin ka blerë me çmimin 11 euro për copë. E dezinfektues për duar ka blerë me çmimin 12.5 euro për litër. Dragashi dhe Prishtina edhe dorëzat i kanë blerë më lirë se sa Prizreni.