Më 28 nëntor 2022, Andrea Agnelli dhe i gjithë bordi drejtues i Juventusit dhanë dorëheqjen për shkak të çështjes gjyqësore mbi skandalin e fitimeve kapitale.
Përveç presidentit të bardhezinjve, u largua edhe Maurizio Arrivabene dhe Pavel Nedved, asokohe nënkryetar i “Zonjës së Vjetër”. Që nga ai moment, për fituesin e “Topit të Artë” dhe shtyllën e Juventusit nuk pati më lajme deri sot. Sipas portalit çek Expres.cz, Nedved do të marrë rolin e drejtorit sportiv të Al Shabab në Arabinë Saudite, duke filluar nga 1 janari 2025.
Që nga viti 2022, kur la Juventusin e tij të dashur, Nedved nuk ka pasur asnjë rol në botën e futbollit, megjithëse shpesh përflitej për një rikthim të tij në futbollin çek. Portali çek iSport.cz madje raportoi se ai pritej të merrte një post si drejtor i përgjithshëm në kampionatin çek. Mediat në Republikën Çeke vazhdojnë të theksojnë se mandati i Nedved në Arabinë Saudite nuk do të zgjasë përgjithmonë, duke mos përjashtuar një rikthim në futbollin e vendit të tij pasi të përfundojë kjo aventurë.
Nedved do të pranojë një post të rëndësishëm dhe prestigjioz në një nga klubet me rritjen më të madhe në futbollin saudit. Për këtë rol, padyshim që do të marrë një pagë shumë të lartë. Megjithatë, ish-ylli i Juventusit fillimisht do ta përjetojë këtë aventurë në Arabinë Saudite i vetëm. Partnerja e tij, këngëtarja e njohur sllovake Dara Rolins, nuk do të transferohet në Arabinë Saudite për t’u bashkuar me Nedved. Të dy do të takohen rregullisht, por jo vazhdimisht. Gjithsesi, për çekun më e rëndësishme është që ai është rikthyer në rrugën e duhur pas dy vitesh.







