Patriot Behrami humbet duelin me boksierin nga Azerbajxhani

Boksieri kosovar, Patriot Behrami ka pësuar humbje nga kundërshtari azerbejxhanas, Lorenzo Sotomayor në Lojërat Evropiane që po zhvillohen në Minsk të Bjellorusisë.

Behrami ishte agresiv gjatë këtij dueli çerekfinal por në rundin e dytë përjetoi një “knock down” që e bëri dallimin në fundin e përballjes.

Patriot Behrami i bashkohet Shpëtim Bajokut, Ardit Delijajt dhe Donjeta Sadikut në sportin e boksit teksa katërshja nuk arritën objektivin të kthehen me medalje nga Minsku.

Kosova ka shkuar në “Minsk 2019” me 12 sportistë, gjersa ka grumbulluar 3 medalje nga xhudo. Një të artë me Majlinda Kelmendin, një të argjendtë nga Nora Gjakova dhe një të bronztë me Loriana Kukën.