Pasi që ia dha bashkëpartiakut të vet në partinë GUXO, Bahtjar Berisha, grantin në projektin me vlerë mbi 84 mijë euro, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është duke tentuar që të njëjtin ta vendosë edhe në një pozitë të drejtorit në dikasterin që ai drejton.

Sipas dokumentit që ka siguruar Albanian Post, Berisha është poentuar më së shumti gjatë intervistimit nga Komisioni i pranimit, Sektori i Burimeve njerëzore, i mbajtur më 11 tetor, për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK).

Bashkëpartiaku i Pecit ka marrë 92.2 pikë, gati 7 pikë më shumë se kandidati i dytë më i poentuar në këtë konkurs.

Tani, Berishës, për ta marrë drejtimin APK-së, i ka mbetur vetëm miratimi nga Qeveria.

Para kësaj, mediumi “Periskopi”, raportoi se si ministria që drejtohet nga Peci i ka ndarë grant bashkëpartiakut të tij në projektin me vlerë mbi 84 mijë euro për ndërtimin e tri vilave në Komunën e Dragashit.

Ky projekt është i miratuar nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), e cila ka financuar 60 për qind të kësaj shume.

Për projektin e ndërtimit të tri vilave, Bahtjari aplikoi në AZHB, ku u financua me rreth 50 mijë euro.

Ky nuk është rasti i vetëm kur në ministritë që drejtohen nga eksponentët e Guxo-s shpërfaqet nepotizmi.

Të mërkurën Ballkani.info raportoi se si Ministri Peci, ka punësuar në dikasterin që ai drejton asistenten tij, e cila është edhe anëtare e partisë GUXO, që ka bashkëkryetar Pecin.

Bleona Krasniqi ka qenë asistente administrative e Pecit, ndërsa e njëjta, më 21 tetor, është zgjedhur në pozitën e “Zyrtarit për Informim” në kuadër të ministrisë së drejtuar nga Peci.

Përveçse asistente e Pecit, Bleona Krasniqi po ashtu është anëtare e kryesisë së degës së partisë GUXO në Mitrovicë.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Ndërsa, vetëm një ditë para kësaj, të martën, u kuptua se motra e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Gashani – zyrtar i GUXO-s – është punësuar në dikasterin e drejtuar nga Peci, si zyrtare e arkivës.

Fillimisht Peci tha se nuk e din nëse motra e Gashanit punon në Ministrinë e Bujqësisë, por kjo u konfirmua nga vetë zëvendësministri. E gjithë kjo ndodhi në një intervistë që Peci e Gashani e kishin në “T7”.