Pasi e tradhtoi trajneri serb para lojës me Kosovën, Mali i Zi e merr këtë vendim për trajner!

Mali i Zi është në kërkim të pasardhësit të Ljubisa Tumbakovic, i cili e tradhtoi ekipin përfaqësues duke mos pranuar ta udhëheqë atë në ndeshjen me Kosovën pas presioneve dhe kërcënimeve që i mori nga Serbia

Mali i Zi ka mbetur pa trajner, që kur e shkarkoi Ljubisa Tumbakovicin.

Tash, kundërshtari i Kosovës në grup në kualifikimet e Euro 2020, është në kërkim urgjent për emërimin e trajnerit të ri, i cili do t’i drejtojë Fatos Beqirajn me shokë në ndeshjet kualifikuese të shtatorit.

“Është nxjerrë përfundimi që është e nevojshme të zgjidhet urgjentisht çështja e trajnerit. Për ndeshjet e shtatorit, duhet të jemi gati në të gjitha aspektet. Komiteti Ekzekutiv i Federatës i ka autorizuar presidentin Dejan Savicevic dhe sekretarin gjeneral, Momir Durdevca që t’i nisin negociatat me kandidatët potencialë për pozitën e trajnerit”, ka njoftuar Federata Malazeze e Futbollit pas mbledhjes së sesionit të shtatë të Komitetit Ekzekutiv të kësaj Federate në Podgoricë.

Mali i Zi barazoi 1-1 me Kosovën në ndeshjen e zhvilluar në kryeqytetin malazez në fillim të qershorit.