“Pash Zotin mos më vrit se kam fëmijë”, zbulohet dëshmia rrëqethëse e vrasjes së Endrit Mustafës

Është zbardhur dëshmia e 15-vjeçarit që është arrestuar nga Policia e Shkodrës si i përfshirë në vrasjen e Endri Mustafës, trupi i të cilit u gjet i pajetë të hënën në zonën e Livadheve.

Sipas të miturit, vrasësi i Mustafës është Ibrahim Lici, i cili është shpallur në kërkim nga policia, ndërkohë që viktima i është lutur që të mos e vriste.

15-vjeçari ka thënë para hetuesve policorë se me viktimën kishin folur për disa rrënjë kanabisi që ai i kishte mbjellë në zonën e Livadheve dhe kishte kërkuar që t’ia tregonte.

Kur i mituri dhe tani viktima kishin shkuar në vendin ku ishte mbjellë kanabisi, aty ishin takuar me Ibrahim Licin, i cili kishte qenë i armatosur.

Bazuar në dëshminë e 15-vjeçarit, i dyshuari ia kishte drejtuar armën Endri Mustafës dhe në atë moment ky i fundit iu kishte përgjëruar që të mos e vriste.

Por, i mituri thotë se Lici ka shtënë në të, duke i thënë “Qofsh i xhenetit”.

Sipas dëshmisë që 15-vjeçari ka dhënë përpara policisë, Lici pas vrasjes është larguar me motor.

“Endrit i tregova që kisha mbjellë hashash në zonën e Livadheve, kur i shkova te shtëpia që ti çoja një qengj që po e blinte. Rreth orës 22:00 u nisëm drejt Livadheve ku na doli përpara Ibrahim Lici, i cili kishte armë. Ai e qëlloi Endrin dhe pasi u rrëzua në tokë, Endri iu lut që të mos e vriste pasi kishte fëmijë. ‘Pash Zotin mos më vrit se kam fëmijë’, i tha Endri, ndërkohë që Lici i tha ‘Qofsh i Xhenetit’ dhe e qëlloi në fytyrë. Më pas u largua nga aty me një motor”, është dëshmia tronditëse e të miturit.

Ndërkohë, familja e viktimës e mohojnë se Ibrahim Lici ka lidhje me ngjarjen, version që e ka pohuar para mediave edhe bashkëshortja e të ndjerit, një ditë pas varrimit të tij.

Në një dalje për mediat, që dukej sa e guximshme aq edhe e çuditshme, ajo tha se për vrasjen e burrit të saj nuk janë fajtor as Licët dhe as Bajrët, duke folur edhe përpara organeve të drejtësisë. 

Lici ka qenë dhe më herët i shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në Shkodër të vëllezërve Bilali, ndërkohë që është i njohur rivaliteti i tij me fisin e Bajrëve.