Shtëpia e Bardhë

Pas sulmit në Banjskë, ShBA-ja ishte shqetësuar se Serbia po përgatitej për pushim ushtarak të Kosovës

Shtëpia e Bardhë ishte alarmuar me vendosjen e trupave dhe artilerisë së rëndë ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën pas sulmit terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar.

Kështu ka raportuar revista e njohur amerikane “Time”, duke u thirrur në një burim brenda Këshillit të Sigurisë Kombëtare, transmeton Klankosova.tv.

“Time” shkruan se si pasditen e 27 shtatorit të vitit 2023, një ekspert i Ballkanit në Shtëpinë e Bardhë mori një telefonatë shqetësuese nga një agjenci e inteligjencës amerikane.

“Forcat serbe po grumbulloheshin përgjatë vijës kufitare të vendit të tyre me Kosovën, ku NATO ka mbajtur një paqe të vështirë që nga lufta e përgjakshme e shkëputjes në vitin 1999. Tri ditë më parë, më shumë se dy duzina serbë të armatosur kishin vrarë një polic kosovar në një sulm. Tani Serbia po vendoste armatim të rëndë dhe trupa”, shkruan “Time”.

“Ishim shumë të shqetësuar se Serbia mund të përgatitej për të nisur një pushtim ushtarak”, thotë një zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC), raporton “Time”.

Revista vazhdon më tej duke thënë se meqë Shtëpia e Bardhë e kishte këtë informacion, “çështja ishte çfarë të bëhej për këtë”.

“Time” thotë se edhe përkundër tensioneve disamujore në rritje mes Serbisë dhe Kosovës, ato nuk po merrnin shumë vëmendje në media, transmeton Klankosova.tv.

“Përpjekjet diplomatike të Britanisë së Madhe, Italisë dhe vendeve të tjera me trupa në terren në Kosovë nuk kishin arritur të qetësonin situatën. Në Uashington, vëmendja u përqendrua te kaosi në Kongres; në pjesën më të madhe të Evropës, prioriteti kryesor ishte ndarja e mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën. Kështu, si pjesë e një përpjekjeje për t’i bërë presion Serbisë që të tërhiqet, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan miratoi një kërkesë nga ekipi i tij në Evropë për të deklasifikuar elementët e grumbullimit serb për publikim”, shkruan më tej “Time”.

Sipas revistës, “Drejtoria e Inteligjencës NSC redaktoi detajet sekrete të grumbullimit për të errësuar burimet dhe metodat prapa inteligjencës”.

“Më pas e dërgoi kërkesën në zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) në Virxhinian Veriore përmes emailit të klasifikuar. Më 29 shtator, pas një ‘përleshjeje’ dyditore për të pastruar deklasifikimin, zëdhënësi i NSC John Kirby bëri një telefonatë të paplanifikuar në ‘Zoom’ me ekipin medial të Shtëpisë së Bardhë”.

“Kirby dha informacione të reja për sulmin e 24 shtatorit ndaj oficerit të policisë kosovare dhe dha lajmin për dislokimin e fundit serb, duke zbuluar se ai përfshinte artileri të avancuar, tanke dhe njësi të mekanizuara të këmbësorisë. Ndërsa mbulimi i ngjarjes mori përmasa të gjera, vendet evropiane iu bashkuan ShBA-së në ushtrimin e presionit të ri diplomatik ndaj serbëve dhe Britania e Madhe njoftoi një dislokim shtesë të trupave në Kosovë. Brenda pak ditësh, trupat serbe po tërhiqeshin”, shkruan “Time”.

Deklasifikimi dhe publikimi i lëvizjeve të trupave serbe, sipas revistës, është një shembull i një qasjeje të re të Shtëpisë së Bardhë për përdorimin e inteligjencës.

BONUS VIDEO| “Ikje e përgjegjësisë dhe gafë e madhe” – Opozita kritikon Kurtin për mospjesëmarrje