Pas sulmit ndaj Shinzo Abes, kryeministri aktual japonez merr masa shtesë sigurie

Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe është qëlluar dy herë me armë zjarri derisa ishte duke mbajtur një fjalim në qytetin Nara. E shtëna e dytë e goditi atë në shpinë, duke e rrëzuar përtokë. Sipas raportimeve, sulmuesi u arrestua menjëherë, ndërsa gjendja e Abes nuk dihet ende.

Pas këtij sulmi që trazoi reagime në mesin e liderëve botërorë, masa sigurie shtesë u morën edhe për kryeministrin aktual të Japonisë, Fumio Kishida, i cili menjëherë ndërpreu fushatën elektorale dhe u nis për Tokio.

Siç raporton New York Times, një helikopter sapo ka zbritur në kulmin e rezidencës së kryeministrit aktual dhe ka dalë i rrethuar nga rojet e sigurisë. Ai pritet t’iu drejtohet gazetarëve për sulmin ndaj Abes, raporton Gazeta Express.

Ndërkaq, janë anuluar përkohësisht të gjitha fushatat zgjedhore në gjithë vendin.

Për këtë sulm ndaj ish-kryeministrit erdhën edhe shumë reagime që dënuan sulmin.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili ishte në Bali për një takim të G20, u tha gazetarëve se ishte “thellësisht i pikëlluar dhe thellësisht i shqetësuar” nga lajmet për Shinzo Abe.

“Lutjet tona janë me të, me familjen e tij dhe me popullin e Japonisë”.

Edhe kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha në Twitter se qëndron me familjen e Abes dhe popullin japonez në këtë kohë.

Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen tha në Facebook se Shinzo Abe ishte jo vetëm një mik i mirë i saj, por edhe aleati më i vendosur që ka mbështetur Tajvanin për vite me radhë dhe nuk ka kursyer asnjë përpjekje në promovimin e marrëdhënieve midis Tajvanit dhe Japonisë. Tsai tha se shpresonte të dëgjonte një lajm të mirë nga “miku ynë i mirë”.

Një zëdhënës i kabinetit të kryeministrit tha se Abe ishte në gjendje arresti kardiopulmonar. Ky term përdoret shpesh në Japoni përpara se një vdekje të konfirmohet zyrtarisht.