Pas sulmit ndaj gjyqtarit, FFK-ja hap procedurë disiplinore ndaj Llapit

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur të hapë procedurë disiplinore ndaj Llapit për disa gjëra, në mesin e të cilave edhe ofendimet dhe kapja e dorës së gjyqtarit kryesor nga një zyrtar i klubit llapjan.

Llapi nuk arriti të marrë rezultat më të mirë sesa një barazim pa gola në shtëpi kundër Ballkanit në xhiron e fundit të Ipko Superligës së Kosovës, megjithatë pas kësaj ndeshjeje klubin nga Podujeva e priti një lajm tjetër i keq.

Komisioni i Garave i FFK-së vendosi të hapë procedurë disiplinore ndaj klubit llapjan në mbledhjen e sotshme, për shkak të ofendimeve ndaj gjyqtarit kryesor si dhe hedhja e fishekzjarrëve dhe shisheve të plastikës në fushë.

“Motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes, ofendim ndaj referëve pas përfundimit të ndeshjes nga ana e Bajram Bejtullahit bartës i barelës dhe reagim nga i njëjti, madje duke e kapur për dore referin kryesor pas përfundimit të pjesës së parë”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga FFK-ja.

“Ndezje të fishekzjarrëve te hyrja e stadiumit në minutat 51 e 53. Në minutën e 70-të me rastin e ndëshkimit të përfaqësuesit zyrtar Muhamet Rexhepi dhe ndihmëstrajnerit të KF “Llapi”, Burim Zhjeçi nga tribuna perëndimore janë hedhur tri shishe PVC në fushës, sipas raportit të personave zyrtarë të ndeshjes.”

Llapi ka afat kohor tre ditor për ta kundërshtuar këtë vendim të Komisionit të Garave të FFK-së.

loading…