Pas rasteve pozitive me Delta Plus, IKShPK do të dërgojë në Gjermani edhe mostra të tjera për analizë

Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka bërë të ditur të mërkurën se nga 70 mostra pozitive të COVID-19, të dërguara për analizë në Gjermani, 12 raste rezultojnë të kenë qenë të variantit Delta Plus.

“Nga 70 mostra, të dërguara ditë më parë për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33%) është detektuar varianti Delta Plus (AY.4-like) dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66%)”, njoftoi MSh.

MSh në njoftim tregoi se edhe se të hënën e 15 nëntorit Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) planifikon të dërgojë edhe mostra të tjera me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-CoV-2 në qarkullim në Kosovë.

“IKSHPK planifikon që të hënën më 15.11.2021 të dërgojë mostrat e tjera pozitive me SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit, përmes të njëjtit projekt, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-CoV-2 në qarkullim në Kosovë”, u tha në njoftimin e MSh-së këtë të mërkure.

Ndërkohë që situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, sipas analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 paraqet rënien të numrit të rasteve për 19.11% krahasuar me dy javët e fundit.

“Situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, sipas analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 paraqet rënie të numrit të rasteve për 19.11% krahasuar me dy javët e fundit. Gjithashtu edhe trendi i rasteve të vdekjeve të raportuara nga SHSKUK dhe spitalet që trajtojnë pacientët. Ekipet e IKSHPK po hulumtojnë dhe gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut për variantin e ri Delta PLUS”, thuhet nga MSh.

Tutje thuhet se “Pasi që janë detektuar 12 raste SARS CoV-2 varianti AY.4-like Delta Plus në Kosovë (20.33%), edhe-pse varianti Delta akoma është dominant (79.66%), ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus”

Aktualisht, në vend janë 444 raste aktive me coronavirus.

Kurse në Kosovë deri më tani janë dhënë 1.587.467 doza të vaksinës antiCOVID-19. Në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) rezulton që 744 mijë e 671 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë antiCOVID-19.