Pas Muriqit, Kosova e humb edhe një futbollist tjetër para ndeshjes me Çekinë

Pas lëndimit të Muriqit, Kosova e ka marrë edhe një goditje tjetër para ndeshjes së nesërme kualifikuese për Euro 2020 kundër Republikës së Çekisë, pasi e ka humbur Herolind Shalën shkaku i lëndimit.

Mesfushori Shala ishte në dyshim edhe pasi u grumbullua nga Kosova të hënën, por tani burime të Gazetës Express nga ekipi kombëtar dardan në Plzen, bëjnë të ditur se Shala do të mungojë nesër në ndeshjen e parafundit dhe mbase më të rëndësishëm të vendit në këtë fushatë kualifikuese.

Kosovës i duhet fitorja patjetër ndaj çekëve për ta realizuar kualifikimin e ëndërruar në ndeshjen e fundit në Grupit A kualifikues kundë Anglisë, të dielën në Prishtinë.

Shala i bashkohet një liste me disa mungesa të rëndësishme te Kosova, sulmuesit kryesor Vedat Muriqit, i cili e lëndoi nyjën e këmbës në fundjavë në një ndeshje me ekipin e tij Fenerbahce, si dhe Arbër Zenelit dhe Hekuran Kryeziut të cilët mungojnë tash e plot muaj.

Trajneri i verdhekaltërve Bernard Challandes zbuloi të hënën në një konferencë për media se mesfushori i Valerenga kishte një shqetësim dhe se nuk dihej nëse do të luante.

“E kemi një problem me Shalën, ta shohim nëse do të jetë gati, do ta shohim situatën. Ai dëshiron të luajë dhe të shohim”, pati thënë Challandes.

Tani burime të Gazetës Express nga hoteli ku po qëndron Kombëtarja kanë bërë të ditur se 27-vjeçari do të mungojë përfundimisht.

Express mëson se Anel Rashkaj do ta zëvendësojë atë në qendër të mesfushës.