Pas largimit të Ajetit, Baseli ia beson sulmin një shqiptari tjetër

Edon Zhegrova nuk po ia del assesi të depërtojë te Baseli, por prapë një futbollist shqiptar po udhëheq sulmin e skuadrës së madhe zvicerane.

Bëhet fjalë për Kemal Ademin, që ngadalë po shndërrohet në lider të sulmit të Baselit.

Baseli është klubi prej të cilit kanë dalë dy futbollistët më të mirë shqiptarë, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.

Për këtë klub kanë luajtur edhe shumë futbollistë të tjerë të suksesshëm, ndërsa në vitet e fundit në krye të sulmit te Baseli ishte Albian Ajeti.

Ajeti javën e kaluar u transferua te West Hami në Premier League të Anglisë, duke lënë kështu hapësirë të konsiderueshme në sulm.

Por Ademi (23-vjeçar) po del përforcim i rëndësishëm për skuadrën e Baselit. Ai realizoi në fundjavë në fitoren 3-1 të Baselit ndaj Servettes, në kuadër të javës së katërt të kampionatit zviceran.

Një gol e kishte shënuar edhe në xhiron e dytë, në debutimin e tij për Baselin në kampionat. Në xhiron e tretë mungoi për shkak të një lëndimi, ndërsa në ndeshjen e parë kampionale ishte vetëm në stol.

loading…