Sulmuesi i Sampdorias

Pas Ibrahimovicit, Milani nuk arrin ta transferojë as Quagliarellan

Pas tentativave për të rikthyer në Milano, Zlatan Ibrahimovicin, drejtuesit e Milanit Leonardo e Maldini dështojnë edhe në planin B të tyre, atë të transferimit të veteranit të Sampdorias, Fabio Quagliarella.

Ky i fundit po bën një sezon perfekt, pavarësisht 35 viteve që ka mbi shpinë, që nuk e kanë penguar aspak të shënojë 9 gola dhe të japë 5 asiste në këto javë të para të kampionatit.

Gjithsesi tentativat e drejtuesve të Milanit, për të vënë sulmuesin në dispozicion të Gattusos duket se kanë marrë fund tashmë, pasi vetë Quagliarella ka rinovuar kontratën e tij me skuadrën e Sampdorias.

Ka qenë vetë presidenti i dorianëve, Ferrero ai i cili në përfundim të sfidës përballë Parmës, njoftoi arritjen e marrëveshjes për zgjatjen e kontratës me sulmuesin, deri në verën e 2020-ës.

Në këtë mënyrë, drejtuesit e Milanit do të duhet të hedhin sytë në një tjetër pistë, për t’i vënë në dispozicion edhe një sulmues Gattusos dhe për të synuar më pas arritjen e zonës Champions.