Pas barazimit mbresëlënës me Holandës, Kosova U-17 mposhtet nga Sllovenia

Pasi arriti të sigurojë barazim kundër kampionëve në fuqi të Evropës, Holandës U-17, ekipi kombëtar U17 i Kosovës pësoi disfatë me rezultat 2:0 kundër Sllovenisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Në rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian U-17, Kosova u përball sot me Slloveninë, në kuadër të xhiros së dytë të grupit 12.

Goditjen e parë Dardanëve ua dha Benjamin Sesko, me golin që arriti ta shënojë qysh në minutën e 12-të të ndeshjes. Pjesa e parë përfundoi me epërsi 1:0 për sllovenët dhe Kosova tentonte ta gjente golin e barazimit.

Megjithatë, ekipi kombëtar i Kosovës pësoi sërish në minutën e 63-të të ndeshjes, kur Andi Hoti u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë të ndeshjes.

Pasi mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, Kosova e pati më të vështirë ta heshtë Slloveninë, e cila arriti ta shënojë golin e dytë të ndeshjen në minutën e 86-të, përmes Domen Zajsekut.

Tani Kosova radhitet në vendin fundit, të katërt, në Grupin e 12-të, me një pikë të fituar nga dy ndeshjet e para, ndërsa Sllovenia dhe Uellsi radhiten të parat me nga tre pikë të fituara.

Kosovën tash e pret ndeshja e fundit për këtë muaj në kuadër të këtij grupi, të martën në ndeshjen kundër Uellsit U-17.

loading…