Pas arresitimit të trajnerit dhe gjyqtarit, reagon Federata e Basketbollit e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pas arrestimit nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike të gjyqtarit, Daut Mehmeti dhe trajnerit Arbnor Rifati.

Ata akuzohen për kurdisje të ndeshjeve dhe sot janë dërguar në parapurgim. FBK ka thënë se është duke e ndjekur me interes situatën dhe është gati të bashkëpunojë me të gjitha instancat.

Reagimi i plotë i FBK-së:

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjithë opinionin sportdashës se, është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media.

Ne e kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, gjithë kohën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA.

FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë.

Siç e ka dëshmuar në çdo instancë, Federata e Basketbollit e Kosovës do të luftojë me ngulm dhe vendosmëri çdo dukuri negative në sportin tonë, duke u angazhuar si përherë në garantimin e integritetit të garave tona.

Në frymë të kësaj, FBK është institucioni i parë sportiv në vend që ka të angazhuar edhe Personin për Integritet, me mandat për të luftuar këto dukuri dhe të gjitha aspektet negative në basketbollin tonë, si dhe ka zhvilluar disa kampanja kundër dukurive negative në basketboll.

Ne zotohemi për lojë të ndershme dhe do të luftojmë këto dukuri deri në fund!

Arben Fetahu

Kryetar

Federata e Basketbollit të Kosovës