Pas akuzave të veteranëve se nuk i ftoi në themelimin e Institutit për krime, Haxhiu ua publikon ftesën

Dje është mbajtur takimi i parë i Ekipit Punues për Themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Organizatat e veteranëve nuk kanë marrë pjesë në këtë takim, derisa, Ministrja në Detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka sqaruar pas reagimit të tyre, se të njëjtëve ju kanë dërguar ftesë.

Albulena Haxhiu ka publikuar në Facebook ftesën që ia kanë nisur Organizatës së Veteranëve.

“Javën e shkuar, kemi pranuar propozimet e përfaqësuesve të institucioneve, organizatave e shoqatave në ekipin punues për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Dje kemi mbajtur takimin e parë të Ekipit. Të gjithë të ftuarit, ishin të pranishëm, përveç përfaqësuesja e Agjencisë së statistikave dhe përfaqësuesi i OVL – UÇK-së. Sot, u akuzuam nga përfaqësuesit e organizatës që nuk i kemi ftuar në takimim e djeshëm. Kjo nuk qëndron. Në vijim gjeni dëshminë për ftesën që kanë pasur e pranuar”, ka shkruar Haxhiu.