Pas 6 javėsh, Kina shënon numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus

Provinca kineze Heilongjiang, në kufi me Rusinë, është bërë vendbeteja e re me koronavirusin në këtë shtet, me autoritetet që kanë raportuar numrin më të madh të rasteve me infektim në gjashtë javët e fundit. Shumica e rasteve janë të importuara.

Kina po frikësohet se rastet e importuara do të shënojnë valë të re të shpërthimit të Covid-19 dhe të rikthejnë paralizën e shtetit.

108 raste të reja u shënuan në Kinë të dielën, nga 99 sa ishte një ditë më herët dhe shënon numrin më të madh të rasteve që nga 5 marsi, kur ishin 143.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë ka thënë se 98 raste ishin të importuara, që paraqet rekord të ri. 49 kinezë që hynë në provincën Heilongjiang nga Rusia u testuan pozitivë.

Edhe pse numri ditor i rasteve të reja me infeksion në Kinë ka rënë ndjeshëm nga piku në muajin shkurt, ky vend ka shënuar rritje së fundmi përmes rasteve të importuara.

Qytetet e Kinës afër kufirit me Rusinë kanë ndërmarrë masa të reja kontrolli dhe kanë shtrënguar masat e izolimit si përgjigje për të parandaluar rritjen e rasteve.