Parma e Kastriot Dermakut ndal Interin me barazim në ‘San Siro’

Interi e humbi mundësinë për t’ia marrë Juventusit pozitën e parë në tabelën e Serisë A, pasi që nuk arriti të shënojë fitore në ndeshjen në San Siro kundër Parmas, që përfundoi me rezultat 2:2.

Skuadra e Antonio Contes u nis për këtë ndeshje në shtëpi me qëllimin për t’ia marrë Juventusit kreun e tabelës së Serisë A, pasi që skuadra e Maurizio Sarrit u ndal me barazim nga Lecce. Megjithatë, fatin e njëjtë si të rivalit të vet e pati edhe Interi në xhiron e nëntë të Serisë A.

Interi e dominoi ndeshjen me posedim të topit dhe goditje drejt portës, mirëpo të dyja skuadrat e patën nga një rast të mirë për të shënuar, përderisa skuadra mysafire u tregua më e rrezikshme në kundërsulme.

Në minutën e 23-të të ndeshjes, Interi kaloi në epërsi përmes golit të shënuar nga Antonio Candreva, mirëpo në shtatë minutat e radhës Parma iu përgjigj zikaltërve me dy gola – i pari i shënar nga Yann Karamoh dhe i dyti nga Gervinho.

Interi vazhdoi ta dominojë edhe pjesën e dytë të ndeshjes dhe e gjeti golin e barazimit në minutën e 51-të të ndeshjes, falë golit të shënuar nga Romelu Lukaku e të asistuar nga Antonio Candreva.

Pas dy pikëve të humbura në këtë ndeshje, Interi mbetet në pozitën e dytë në tabelën e Serisë A, me 22 pikë të grumbulluara – një më pak sesa Juventusi – nga nëntë ndeshjet e para (shtatë fitore, një barazim dhe një humbje).

Në anën tjetër, ky ishte barazimi i parë i sezonit edhe për Parmën, që i ka humbur katër ndeshje të tjera dhe i ka fituar po kaq. Deri më tash, nga nëntë xhirot e para, Parma i ka grumbulluar 13 pikë dhe radhitet e gjashta.

Tani Interin e pret përballja me Brescian, pas tre ditësh, në kuadër të Serisë A, ndërsa në po të njëjtën ditë Parma do të presë Hellas Veronan e Amir Rrahmanit dhe Marash Kumbullës.

loading…