Paris Saint-Germaini ka dëshmuar pse është fitues në fuqi i Ligës së Kampionëve. Të martën mbrëma në “Parkun e Princave”, parisienët fituan 4:2 ndaj Barcelonës, skuadrës më në formë në futbollin evropian.

Ishte kjo kryendeshja e xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve. Ashtu si pritej, ndeshja ofroi spektakël futbolli. Por PSG-ja arriti fitore për të dëshmuar që sërish synon titullin evropian. Barcelona ishte në seri prej 11 fitoreve, por u ndal në sfidën më të madhe të këtij edicioni.

Pas shumë rasteve në të dy anët, Desire Doue shënoi për epërsinë 1:0 të PSG-së në minutën e 38-të. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë. 

Në minutën e 55-të, Barcelona barazoi në 1:1. Xavi Espart ishte realizator.

Në minutën e 72-të, Doue krosoi për Lucas Hernandez që shënoi për 2:1 në të mirë të skuadrës franceze. 

Lamine Yamal shënoi gol të bukur për 2:2 në minutën e 79-të. Por nuk vonoi reagimi i PSG-së. Fillimisht Vitinha shënoi për 3:2 në minutën e 81-të, ndërsa Fabian Ruiz konfirmoi fitoren 4:2 me golin e minutës së 86-të.

Për Parisin është fitorja e tretë rresht në Champions. Parisi e mban vendin e parë me nëntë pikë, sa i ka edhe Liverpooli. Barcelona bie në vendin e pestë, kurse mbetet me gjashtë pikë. Parisit i janë lënduar tre lojtarë të rëndësishëm, por sërish kishte mjaftueshëm cilësi për të ndalur hovin e Barçës.