Paralajmëron Zemaj: Do të gjobiten ata që s’i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i shoqëruar nga drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, kanë vizituar Klinikën Infektive, për të parë nga afër gjendjen e pacientëve me COVID-19

Zemaj tha se vizita e tij në këtë Klinikë ishte për të vizituar pjesëtarët të cilët janë duke punuar edhe përtej orarit të caktuar. Tha se si institucionet do t’iu ofrojnë shërbimet më të mira të mundshme për të kaluar situatën në të cilën po kalon Kosova.

“Erdhëm për t’u informuar për së afërmi dhe për të vizituar pjesëtarët të cilët janë duke punuar edhe përtej orarit të caktuar që e kanë këtu në Klinikën Infektive dhe t’iu ofrojmë shërbimet më të mira të mundshme pr situatën në të cilën po e kalojmë në luftimin e pandemisë”, tha Zemaj.

I pari i shëndetësisë, teksa foli për shtimin e rasteve me COVID-19, tha se qytetarët dhe institucionet nuk po dëgjojnë në parandalimin e kësaj pandemie.

“Problemi është se qytetarët nuk po dëgjojnë dhe institucionet tjera nuk po dëgjojnë në parandalimin e kësaj pandemie. Masat e parapara nga IKSHPK-ja nuk po respektohen dhe të vetë ministrisë dhe kjo është ngarkesë për Klinikën Infektive, e mbi të gjitha edhe e rrezikon jetën e çdo qytetari i cili përballet me pandeminë. Pandemia ekziston, perceptimi është duke u ndërtuar gabim nga ata që virusi nuk është prezent, dhe mesazhi jonë është që t’iu ofrojmë përkrahje që mos të na ndodhë diçka më e madhe”, tha ai për EkonomiaOnline.

Ministri Zemaj tha se nuk është e nevojshme rikthimi i masave por që tha se ata që nuk i respektojnë këto rekomandime, do të gjobiten.

“Ne jemi duke biseduar dhe qëndrimi jonë është zyrtarë. Për çfarë do që është e vlefshme për ta mbrojtur jetën e qytetarit, ne jemi këtu prezentë dhe për këtë arsye këto vizitat tona përditshme e ofrojnë këtë shërbim ligjore dhe kushtetuese. Ndërsa sa i përket masave, jemi në konsultim me pjesën administrative dhe ligjore që ta rrisim kapacitetet e masave ndëshkuese. Ata të cilët nuk janë duke i respektuar këto masa mbrojtëse duhet të ndëshkohen që mos ta dëmtojnë shëndetin e tjetrit apo mos ta infektojnë ndonjë person”, tha Zemaj, duke shtuar se janë duke bërë qmos që mos të rikthehen masat izoluese.

Lindita Ajazaj-Berisha: 110 raste në Infektivë, gjashtë në mjekim intensiv dhe katër prej tyre janë në gjendje kritike

Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha, tha se në këtë klinikë të shtrirë pozitiv me COVID-19, janë 110 raste, prej tyre gjashtë janë në mjekim intensiv dhe katër prej tyre janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar.

“Normal me rritjen e numrit të rasteve ka filluar edhe rritja e numrit në Klinikën Infektive. Tanimë në këtë Klinikë i kemi 110 raste të cilët janë të shtrirë, prej tyre gjashtë janë në mjekim intensiv dhe katër prej tyre janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar”

“Megjithëse ky numër mund të ndryshojë për arsye se vazhdimisht kemi raste të cilët nga terreni të konfirmuar si COVID pozitiv përshkak të probleme me frymëmarrje apo probleme respiratore vazhdimisht kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive”

“Ka rate të cilët janë spitalizuar edhe në Klinikën e Pulmologjisë, prandaj do të ishte mirë që ne si qytetarë të vetëdijesohemi, t’i respektojnë të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe ndihma më e madhe është nga qytetarët. Prandaj duke e pasur parasysh që jemi në muajin e pestë që jemi në punë 24 orë, i lus qytetarët që t’i respektojnë masat mbrojtëse, në mënyrë që të mbrojmë vetën dhe të tjerët”, tha ajo.

Ramadani: Rastet po rriten si pasojë e mosrespektimit të rekomandimeve tona

Respektim të masave mbrojtëse kërkoi edhe drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani. Ai tha se rritja e rasteve po bëhet si pasojë e mosrespektimit të rekomandimeve të institucioneve të shëndetësisë.

“Duke pasur parasysh se kemi një numër brengosës të rritur të rasteve pozitiv dhe atë si pasojë e moskujdesit dhe mosrespektimit të rekomandimeve të IKSHPK-së, të cilët kishim mundur që ta tejkalojmë së bashku këtë situatë nëse ata i përmbahen këtyre rekomandimeve të detajuara në manualin e për parandalimin e pandemisë dhe sidomos do ta zbrazte Klinikën Infektive me rastet kronike që pastaj mund të përfundojnë me fatalitet”, tha Ramadani, duke shtuar se mbajtja e maskës shpëton jetë.