Paralajmërohet krijimi i Ligës Ballkanike në futboll

Ideja për një ligë të fuqishme regjionale të futbollit aktualizohet herë pas here. Por, një ligë me skuadrat më të fuqishme të regjionit të Ballkanit, deri më tani ka mbetur vetëm ide dhe nuk është bërë ndonjë veprim për ta konkretizuar atë.

Megjithatë, zhvillimet e fundit në futbollin ndërkombëtar mund ta ndryshojnë gjendjen. Bota e futbollit është ndarë pas vendimit të 12 klubeve të mëdha evropiane për të krijuar Superligën Evropiane. Superliga planifikohet të startojë “sa më shpejt që të jetë e mundur”, ndërkohë kundërshtimet nga pjesa tjetër e komunitetit të futbollit janë të fuqishme. Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) po e udhëheq luftën për të mos lejuar krijimin e Superligës Evropiane.

UEFA po bën reforma të mëdha me synim për ta mbajtur ndikimin që e ka në futbollin kontinental. Por, klubet e mëdha po shprehen të vendosura për të startuar me Superligë.

Nëse Superliga fillon, atëherë harta e futbollit do të ndryshojë plotësisht, të paktën në Evropë. Presidenti i Real Madridit dhe Superligës Evropiane, Florentino Perez, ka dhënë një intervistë të gjatë ku ka shpalosur detaje për projektin e ri. Dhe, Perez ka lënë të kuptohet se mund të krijohen liga regjionale në Evropë, duke përfshirë një në Ballkan. Ato do të shërbenin edhe si mundësi për hyrjen e më të mirëve në Superligën Evropiane.

Mediumet në Kroaci dhe në vende tjera të regjionit janë marrë shumë me temën e ligës së përbashkët, të martën.

Perez ka folur për turne paralelë, kur është ndalur edhe te Ballkani.

“Po, do të ketë turne paralelë, të tillë çfarë ekzistojnë tashmë në basketbollin e nivelit evropian. Prej atje do të kalojnë në Superligë, ku jo të gjithë mund të luajnë. Kohërat po ndryshojnë: Skandinavët duan të kenë një kampionat të përbashkët, ashtu si ata në Beneluks apo në vendet e Ballkanit”, ka thënë Perez.

Superliga pritet t’i ketë 20 ekipe. Pesëmbëdhjetë do të jenë të përhershme, ndërsa pesë do të kualifikohen. Mund të ketë një ligë të dytë, e, po ashtu, kualifikim nga ligat regjionale.

“UEFA duhet ta kuptojë që futbolli ka ndryshuar në Evropë. Duhen ndryshime, pasi do të vdesim me situatën aktuale”, ka shtuar Perez.

UEFA e kishte kundërshtuar vazhdimisht idenë për krijimin e ligës së regjionit. Dhe, federatat nacionale kanë shkuar në të njëjtin drejtim.

Në të vërtetë, sa herë që janë përmendur vendet e mundshme pjesëmarrëse, asnjëherë nuk është përfshirë Kosova. Aktualisht, niveli i klubeve më të mira të vendit nuk arrin nivelin e klubeve më të mira të regjionit. Po ashtu, ndikimi i Serbisë në iniciativat regjionale është i madh.

Në basketboll, por edhe në hendboll, ka liga regjionale, që vlerësohet se i kontribuojnë zhvillimit të vetë ekipeve. Ligat rajonale ofrojnë më shumë ndeshje të forta, që ligat nacionale nuk i ofrojnë gjithnjë.

Ndërkohë, në basketboll është e theksuar ndarja e madhe në nivel evropian. Klubet më të mira evropiane janë pjesë e Euroligës, një organizate të pavarur që nuk është pjesë e FIBA-s. Euroliga organizon dy nivele garash, që llogariten më të fortat në Evropë. Ndërkohë, FIBA organizon dy nivele tjera, por nuk ka mundur t’i joshë skuadrat më të forta. Pra, aktualisht llogariten niveli tre e katër. Lufta ndërmjet FIBA-s dhe Euroligës është e vazhdueshme. Vazhdimisht gjenden kompromise për të vazhduar para, por primati i Euroligës aktualisht nuk po rrezikohet.

Liga e Adriatikut në basketboll, që vlerësohet goxha e fuqishme, ofron biletë për Euroligë, pra për ligën që është jashtë kontrollit të FIBA-s.

Një betejë e ashpër tashmë është edhe në futboll.