Parakalon në “Tokio 2020” ekipi olimpik i Kosovës, përshëndetet nga presidentja Osmani

Ekipi olimpik i Kosovës, i përbërë prej rreth 15 personave, ka parakaluar në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike që po mbahet në stadiumin olimpik të Tokios.

Gjatë parakalimit, u pa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke përshëndetur sportistët.

Image

Medalistja e artë olimpike, Malinda Kelmendi dhe Akil Gjakova, ishin bartës të flamurit të Kosovës. Kosova në këto Lojëra, do të prezantohet me 11 sportistë, ku gjashtë prej tyre janë kualifikuar me normë olimpike derisa pesë tjerë kanë udhëtuar me ftesa. Për Kosovën, kjo është hera e dytë që paraqitet në ngjarjen më të madhe shumësportëshe pas debutimit në vitin 2016, ku Kelmendi e fitoi medaljen e artë.

Xhudistja Distria Krasniqi do të jetë sportistja e parë nga Kosova, që do t’i nis garat në Lojërat Olimpike. Ajo të shtunën do të garojë në kategorinë deri në 48 kilogramë. Në xhiron e parë do të jetë e lirë, kurse në të dytën do të ndeshet me fituesen e meçit ndërmjet Harriet Bonfacet nga Malawi dhe Gabriela Chibanas së Brazilit.