Para se ta vriste Spahiun, polici në Gjilan shtiu në një restorant me muzikë me sharkia

Me dyshimet se ka kryer vrasje të rëndë, Gjykata në Gjilan të hënën i ka caktuar një muaj paraburgim policit V.H, i cili dyshohet se një ditë më parë në Gjilan vrau Lulëzim Spahiun.

Por, kjo vepër penale me gjasë nuk ishte e para që e kishte kryer atë natë pjesëtari i Policisë së Kosovës, raporton KTV.

Sipas kërkesë së paraburgimit të Prokurorisë në Gjilan, të cilën e ka siguruar KTV-ja, polici pas mesnatës së 29 dhjetorit në restorantin “Elma” në fshatin Malishevë, derisa ishte duke dëgjuar muzikë live me sharki, kishte nxjerrë revolen Bereta me gaz dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të tokës. Herën e parë kishte shkrepur së paku 6 herë, derisa herën e dytë së paku tri.

E vetëm disa orë më vonë, sipas Prokurorisë, ai dyshohet se kishte vrarë me armë qytetarin Lulëzim Spahiu, pas një aksidenti trafiku mes tyre.

Në kërkesën e paraburigmit thuhet se pas aksidentit, i dyshuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimit dhe sharjeve me viktimën dhe djalin e viktimës, pjesëtari i policisë e nxjerr armën zyrtare nga brezi dhe përkundër përpjekjeve nga dy personat e tjerë, të cilët ishin me të, që ta ndalonin, ai e gjuan viktimën pasi ai kishte hyrë në kamion.

Një plumb nën vetullën e syrit të djathtë bëri që Lulëzim Spahiu të mos i bëjë ballë plagës së marrë nga arma zyrtare e policit.

E ndonëse në kërkesën e paraburgimit thuhet se të dyshuarit i është bërë matja e alkoolit, aty nuk përshkruhet se cili ka qenë niveli i tij në gjak.

Përpos armëve, të cilat i janë konfiskuar pjesëtarit të Policisë së Kosovës, gjatë bastisjeve policia në shtëpinë e tij ka konfiskuar edhe 7 karikator të armës zyrtare dhe 76 fishekë.

Kjo ka bërë që polici tashmë i suspenduar të dyshohet edhe për dy vepra penale ‘Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armës dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm’.