Paqarada nuk do të luajë për Kosovën për aq kohë sa Challandes është selektor

Mbrojtësi i majtë i Kosovës, Leart Paqarada ka thënë se nuk do të luajë më për Përfaqësuesen për aq kohë sa selektor është Bernard Challandes.

Paqarada nuk ka pasur besimin e madh të Challandesit dhe nuk është aktivizuar shumë. Ai pretendon se meriton të luaj dukshëm më tepër. Dhe për mungesën e hapësirës fajëson direkt selektorin Challandes.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Paqarada ka bërë të ditur se do të largohet përkohësisht nga Përfaqësuesja dardabe, përkatësisht për aq kohë sa Challandes të jetë selektor.

Paqarada, që karrierë bën në kategorinë e dytë gjermane te skuadra St. Pauli, ka thënë se është nder dhe krenari për të që të vesh fanellën e Kosovës. Ai megjithatë vlerëson se Challandes e ka degraduar.

“I mbështetur për muri nga degradimi që më është bërë në vazhdimësi nga trajneri, mosangazhimi në lojë prej vitesh, përkundër ftesave për të luajtur, mosrespekti dhe injorimi nga ai, më detyrojnë që të vendos që përkohësisht të largohem nga dispozicioni për të luajtur në ekipin që udhëhiqet nga Bernard Challandes. Përzgjedhjen për të luajtur për Kosovën, krahas Shqipërisë apo në përfaqësueset e grupmoshave të Gjermanisë, e kam bërë pa asnjë mëdyshje. Gjë të cilën do ta bëj përsëri. Por jo nën drejtim të Bernard Challandes”, ka shkruar Paqarada.

Ai thotë se kështu po e mbron dinjitetin personal.

“Përkundër respektimit maksimal ndaj vendimeve të trajnerit, kam ardhur në pikën që ta mbroj dinjitetin tim nga ai. Si bir i Kosovës, jam i gatshëm të kontribuoj duke luajtur për Kombëtaren nga momenti kur të vij trajneri i ri. Dashuria ime për Kosovën dhe familjen time është më e madhe se mosrespektimi dhe injorimi i trajnerit. Trajnerët janë të përkohshëm ndërsa Kosova është e përhershme. Ky vendim i rëndë është momental”, ka shkruar Paqarada.

Ai ka 21 ndeshje e një gol për Kosovën.