Panucci para Izraelit: Ndeshje e vështirë, por për mua java më e lumtur në Shqipëri

Christian Panucci është shprehur optimist në konferencën për shtyp një ditë parë ndeshjes së Ligës së Kombeve ndaj Izraelit në transfertë.

Italiani thotë se kundërshtari është i fortë, por gjithçka varet nga paraqitja e Kombëtares së Shqipërisë .

Duket se në Kombëtare mbizotëron atmosferë optimiste…

Jam optimist, sepse i kam parë djemtë që kanë punuar me shumë profesionalizëm, është java më e lumtur që kur kam marrë drejtimin e Shqipërisë. Izraeli ka luajtur tri ditë më parë, por gjithçka varet nga ne, nëse do t’i vëmë në vështirësi.

A ka probleme fizike skuadra? Është gati Grezda?

Grezda është rikuperuar, nuk ka probleme, skuadra është shumë mirë. Më vjen shumë keq për Mihajn, është një djalë shumë serioz, edhe për Veselin. Do t’i kemi në të ardhmen.

A keni një koment për Balliun?

Jam i keqardhur për Balliun, sepse kishim dy dëmtime dhe i kërkuam Metzit ta grumbullonim për arsye emergjence. Urojmë që kjo t’i ndodhë trajneri të Metzit me lojtarët e tij. Sigurisht që ftesa bëhet 14 ditë përpara, por kur ke emergjencë, ndodh edhe kështu. Trajneri i Metzit nuk u tregua profesionist.

Janë provuar disa skema, me cilën skemë do të luajmë?

Do ta shihni nesër, sigurisht. Do ta vendosë kapiteni pak më vonë (qesh).