Pamje të tmerrshme nga ambientet ku trajtohen pacientë me koronavirus

Në Klinikën e Pulmologjisë – QKUK, aty ku po trajtohen pacientët e infektuar me coronavirus, vazhdimisht po bëhet thirrje që të mbahet pastërtia, por brenda vërehen papastërti të mëdha, sidomos në pjesën e banjove.

KALLXO.com ditë më parë ka raportuar për papastërtitë dhe mungesën e sapunëve, letrave higjienike në Klinikën e Pulmologjisë, por mungesë e ngjashme ka qenë edhe dy ditë më parë kur KALLXO.com ka vizituar këto banjo brenda Klinikës.

Në banjot e katit të parë përveç mungesës së sapunëve dhe letrave higjienike ka papastërti edhe në pjesën e dyerve.

Ndërsa, banjot në katin e dytë janë në gjendje edhe më të rëndë, ato shihet se janë të vjetruara dhe përplot më papastërti.

Edhe familjarët e pacientëve mbrapa kamerave shprehen të shqetësuar për papastërtitë nëpër toiletët brenda Klinikës.

Deri më sot 9,688 qytetarë të Kosovës janë infektuar me COVID-19 që nga muaji mars, 5,480 prej tyre janë shëruar dhe 300 të tjerë kanë vdekur.