Pamje të tjera nga projekti i Stadiumit Kombëtar të Kosovës

Pas publikimit të disa fotografive të para të projektit për Stadiumin Kombëtar të Kosovës, tani janë zbuluar edhe disa pamje të reja të stadiumit në të cilin do të luajnë “Dardanët” në të ardhmen.

Sot në Prishtinë është prezantuar projekti për Stadiumin Kombëtar të Kosovës, ashtu siç ishte paralajmëruar dje nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Punimet për ndërtimin e këtij stadiumi, me kapacitet prej 30 mijë ulësesh, pritet të fillojnë këtë vit. Projektin e ka bërë arkitekti turk Murat Tabllandiogllu.

Sipas projektit të prezantuar, Stadiumi Kombëtar do të ketë restorante, hotele, fusha ndihmëse, parqe e pishina, ndërsa në ndeshjet e Kosovës, stadiumi do të ndriçohet nga ngjyra të kaltra.

Futbollistët përmes një videoje kanë falënderuar dhe kanë premtuar që do ta japin maksimumin e tyre për t’i gëzuar tifozët edhe në këtë stadium, ashtu siç kanë bërë deri më tani në “Fadil Vokrri”.

I pranishëm ishte edhe ylli i Kombëtares “Dardane”, Milot Rashica, dhe shumë politikanë të tjerë.

Deri më tani, Kosova ka luajtur në stadiumin e qytetit të Prishtinës, “Fadil Vokrri”, mirëpo sapo të përfundojnë ndërtimi i këtij stadiumi, Kosova do të shpërngulet.