Pamje të reja, ku shihen dy policët e Kosovës duke e goditur me shuplakë vajzën në Vushtrri

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë së martës janë parë në afërsi të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, ku një police prezentë shihet duke e goditur një vajzë e cila sipas pamjes në video duket të jetë e mitur.

Në videot e reja që kanë arritur në redaksi të Telegrafit shihet se edhe polici tjetër e godet me shuplakë njërën nga vajzat.

Nuk dihet se për çfarë arsye janë ndaluar vajzat, e as arsyeja e reagimit të tillë nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Gjithashtu në video shihen edhe kalimtarë të rastit të cilët nuk reagojnë, ndërkaq policja vazhdimisht dëgjohet duke bërtitur, “Ti mu lopë a?”, thotë policja disa herë.

Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar një hetim pas publikimit të videot-incizimit me dyshim për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë në një incident që ka ndodhur në Vushtrri në orët e pasdites të së martës.

“Hetuesit e IPK-së pas publikimit të videos në medie janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast që kanë përfshirë marrjen e deklaratave si dhe sigurimin e disa video incizimeve”, thuhet në komunikatën e IPK.

“Pas disa veprimeve hetimore fillestare, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një zyrtare policore dhe një rreshter policor) që janë përfshirë në këtë incident”.

Më tej në komunikatë thuhet se, në konsultim me prokurorin kompetent për këtë rast do të zhvillohet një hetim në procedurë të rregullt me dyshimin se zyrtarët policorë të stacionit policor të Vushtrrisë kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.