Pamje: Kështu i bëri horë Neymari lojtarët e Perusë

Neymari e bëri njërën prej paraqitje më të mira në kohët e fundit të hënën në triumfin e Brazilit 1:0 kundër Perusë, duke i ndihmuar Selecaos të kalojë në finale të Kupës së Amerikës.

Sulmuesi i Paris Saint-Germain ishte i pakapshëm për kundërshtarët dhe bëri shfaqje të vërtetë duke i dribluar vazhdimisht lojtarët e Perusë, përfshirë duke ua futur topin mes këmbëve.

Neymari ishte mbase lojtari më meritor që Brazili e arriti finalen e Kupës së Amerikës për herë të dytë radhazi, pasi i vetëm e përgatiti golin e triumfit të shënuar nga Lucas Paqueta.

Kjo fitore i jep mundësi skuadrës së Tites ta fitojë Kupën e Amerikës për herë të dytë radhazi kur të takohet në finale me Argjentinën apo Kolumbinë më 10 korrik në Maracana.

Brazili e mbizotëroi Perunë për pjesën më të madhe të ndeshjes, veçanërisht gjatë 45 minutave të parë.

Paqueta e theu akullin për t’i dhënë epërsinë brazilianëve kur shënoi nga afërsia në minutën e 35-të, pasi u shërbye nga Neymari në zonë.

Skuadra e Ricardo Garecas i bëri trysni Selecaos në pjesën e dytë, por i mungoi cilësia e duhur përpara për ta gjetur golin e barazimit.

Brazili mund të ëndërrojë për titullin e dytë radhazi në Kupën e Amerikës kur të takohet në finale më 10 korrik me fituesin e gjysmëfinales së sotme mes Argjentinës dhe Kolumbisë.