Njeriu i Trumpit

Palmer, liderëve kosovarë: Amerika nuk ju pret, nuk ka kohë për teket tuaja

“A mendoni ju se SHBA dhe Bashkimi Europian janë të gatshme t’ju presin juve gjithmonë?”, ka qenë një nga frazat që Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer, ka përdorur kur u ka folur liderëve politik të vendit.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer, i cili gjatë ditës së djeshme ka qëndruar për vizitë në Prishtinë, ka shfrytëzuar vizitën e tij që të mbledhë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, liderët kosovarë.

Të gjithë liderët e partive parlamentare, kanë qenë në këtë takim, që sipas burimeve të Insajderit, zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka qenë i prerë në qëndrimin e shtetit amerikan karshi dialogut me Serbinë.

Në këtë takim që e ka mikëpritur vet Palmer që është mbajtur të martën në Ambasadën Amerikane, zyrtari amerikan ka kërkuar që sa më parë të arrihet konsensusi për fazën finale të Dialogut.

Në takim, kanë qenë të pranishëm Kadri Veseli (PDK), Agim Veliu (LDK), Albin Kurti (VV), Ramush Haradinaj (AAK), Jakup Krasniqi (Nisma), Behgjet Pacolli (AKR), Visar Ymeri (PSD) dhe Mimoza Kusari-Lila (Alternativa).

E për të gjithë, Palmer ka pasur një mesazh: ata duhet të ulen për të dalë me një qëndrim të përbashkët, dhe asnjë marrëveshje e cila arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është pengesë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deri më tani, Kosova ka dalë me qëndrim vetëm të presidentit që e ka marrë vetë në dorë drejtimin e dialogut me Serbinë, duke propozuar që si marrëveshje finale mes Serbisë dhe Kosovës, të jetë korrigjimi i kufijve. Presidenti Thaçi po propozon që pjesë e Kosovës të jenë edhe Lugina e Preshevës, por nuk po tregon se çka do t’i dhurohet Serbisë. Madje mohon se do t’i jepet diçka.

Ky zyrtar i lartë amerikan më tutje është shprehur se vendi i tij nuk ka qëndrim për korrigjimin e kufijve dhe për asnjë çështje tjetër, duke thënë se pajtohet me çfarëdo marrëveshje për të cilën bien dakord palët në negociata.

Palmer, siç tregojnë burime të Insajderit, ka përsëritur qëndrimin se SHBA mbështet dialogun dhe mi të gjitha, ka pohuar se SHBA-ja mbështetë çdo lloj opsioni që përkrah Kosova në këtë proces të rëndësishëm.

Pra Palmer ka lënë të kuptohet qartë se SHBA-ja është e hapur për të gjitha opsionet e një marrëveshje që do të kishte pajtim mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Palmer ka qenë edhe i ashpër në këtë takim, thonë burime të Insajderit.

“A mendoni ju se SHBA dhe Bashkimi Europian janë të gatshme t’ju presin juve gjithmonë?”, thuhet të ketë reaguar Matthew Palmer.

Ai ka kërkuar nga liderët kosovarë që të bëhen bashkë për t’u ballafaquar me Serbinë në Bruksel. Në të kundërtën, ka tërhequr vërejtjen ai, Amerika nuk ka kohë për të humbur me mospajtimet e brendshme politike në Kosovë, sepse ka çështje të tjera më të mëdha dhe punë më të mençura.

Me gjithë porositë e qarta të Palmer, Insajderi mëson se përfaqësuesit e partive politike nuk i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre për Dialogun, të cilat tash e sa kohë i kanë bërë publike në opinion. Insajderi do të kërkojë përgjigje nga partitë nëse kanë reflektuar pas këtij qëndrimi të shtetit amerikan.

Dialogu Kosovë-Serbi aktualisht është në një “fazë të ngrirë” dhe ende nuk ka një datë nga BE se kur mund të rifillojë.