Pal Lekaj: Shteti të dalë me strategji për mbrojtjen e Valës – Të parandalohet blerja e IPKO-s nga Telekomi serb

Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Në mbledhjen e sotme të komisionit, për raportim ishin përfaqësuesit e ARKEP-it në lidhje me shitblerjen e kompanisë IPKO nga Telekomi i Serbisë.

Përfaqësuesit e ARKEP-it deklaruan se ende zyrtarisht nuk e kanë trajtuar këtë temë për arsye se ende nuk kanë asnjë njoftim zyrtar as nga kompania IPKO e as nga Telekomi i Sllovenisë që është aksionar kryesor i këtij operatori në lidhje me shitblerjen e këtij operatori nga Telekomi i Serbisë.

Anëtari i këtij komisioni, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj u shpreh se meqenëse është debatuar në media që Telekomi i Serbisë është i interesuar për blerjen e operatorit IPKO, atëherë ARKEP-i duhet menjëherë të interesohet drejtpërdrejt të marrë informacione nga IPKO se deri ku ka arritur ky proces.

Poashtu sot në Komision ishin për raportim edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Telekomit, Burbuqe Hana në lidhje me gjendjen aktuale në Telekom.
Deputeti Pal Lekaj theksoi se Telekomi i Kosovës së bashku me të gjithë akterët tjerë duhet të angazhohen sa më parë për krijimin e një strategjie dalëse për riprogramim të borgjit që Telekomi i Kosovës ka ndaj operatorëve të tjerë.

Ai tha se është momenti kyç që edhe shteti i Kosovës si aksionar kryesor në Telekomin e Kosovës të angazhohet për pagimin e këtij borgji duke e pasur parasysh dividentën që për vite Telekomi i Kosovës i ka dhënë Republikës së Kosovës.