Pahori vizitë njëditore në Kosovë, krejt çka diskutoi me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë, me ç’rast është takuar me homolgen e tij Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Gjatë takimit me presidentin slloven, Osmani i ka kërkuar Sllovenisë ndihmën e saj për liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër, Pahor ka bërë të ditur se i ka kërkuar Bashkimit Evropian (BE) që kosovarëve t’u mundësohet lëvizja pa viza në zonën Schengen, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai një në konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, ka shtuar se Sllovenia është mbështetës e dialogut me Serbisë.

Sipas tij, dialogu duhet të vazhdojë, sado që nuk është një proces i lehtë. Pahor deklaroi se dialogu duhet të bëhet një hap më tej tek çështja e personave të zhdukur.

Përkushtimi i dyanshëm për thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe forcim të partneritetit ndërmjet dy vendeve, u theksua edhe në takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit slloven Borut Pahor.

Sipas komunikatës nga Qeveria, thuhet se Kurti në këtë takim ka falënderuar presidentin Pahor për përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë, një vend mik dhe partner strategjik i Kosovës.

“Sllovenia është partneri ynë i çmuar, pasi ndajmë të njëjtin interes për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, tha Kurti, duke u shprehur mirënjohës për kontributin e Sllovenisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Ai tha se pret me padurim avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në mbrojtje dhe siguri.

Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe punën e Qeverisë në këtë drejtim. Ai kërkoi përkrahje nga Sllovenia për anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare.

“Teksa foli për menaxhimin dhe situatën aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti tha se gjatë muajit nëntor ka pasur raste njëshifrore të vdekjeve të të prekurve me COVID-19, deri tani janë administruar 1 milion e 612 mijë vaksina, me dy doza janë vaksinuar 57 për qind e të rriturve të moshës mbi 16 vjeç, ndërsa me një dozë rreth 65 për qind.

Kryeministri theksoi se pavarësisht faktit që ka filluar me vonesë vaksinimi, nuk ka marrë vaksina nga Kina ose Rusia, por vetëm ato të certifikuara nga FDA dhe EMA”, thuhet në komunikatë.

Kurti ka përmendur edhe strehimin e afganëve, shkruan Reporteri.net.

“Këtë vit Kosova tregoi se është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja me kalimin nga një konsumues i sigurisë në një ofrues sigurie. Në këtë aspekt, kryeministri veçoi se Kosova me krenari mbështeti operacionin e drejtuar nga NATO-ja për evakuimin e refugjatëve afganë, që dëshmon se Kosova është një partnere e besueshme. Ne ishim të gatshëm të ndihmonim, sepse kjo është ajo që bëjnë për njëra-tjetrën vendet që ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë dhe paqes”, tha kryeministri.

Ai foli për përkushtimin e Qeverisë në luftën kundër krimit e korrupsionit.

Lidhur me masat e ndërmarra, ai theksoi se gjatë këtij viti Policia ka realizuar rreth 500 operacione e rreth 900 bastisje dhe ka shkatërruar 41 grupe kriminale.

“Nuk do të lejojmë asnjë individ ose grup të jetë më i fortë sesa shteti ligjor”, tha ai.
“Përmirësimi i politikave qeverisëse ka rezultuar edhe me rritje ekonomike”, tha kryeministri, duke theksuar parashikimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rritje ekonomike prej 9,9 për qind për vitin 2022.

“Kur nuk ka korrupsion në qeverisje, qytetarët shpenzojnë më shumë dhe i paguajnë tatimet me rregull, sepse nuk frikohen që paratë e tyre do të keqpërdoren”, theksoi ai.

Më tej thuhet se presidenti Pahor e përgëzoi kryeministrin për qasjen e re në qeverisje.

Ai u interesua të dijë më shumë rreth ecurisë së bisedimeve me Serbinë dhe tha se Sllovenia është e interesuar të shohë progres.

“Përkundër vështirësive, bisedimet duhet të vazhdojnë”, tha ai.

Kurti e ka vlerësuar rolin e Sllovenisë në këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe kërkoi mbështetjen e saj për të elaboruar rëndësinë e reflektimit të Serbisë për dëmet e shkaktuara, shkatërrimet dhe luftën, krimet e kryera në Kosovë.

“Ky është një parakusht për bisedime serioze dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha kryeministri, duke e ritheksuar si parësore vendosjen në qendër të bisedimeve të njohjes së ndërsjellë të Kosovës me Serbinë.