Pafuqia e Kurtit dhe Konjufcës për ta mbajtur një fjalë | Nga “as ksi, as asi” në “15 modele për Asociacionin”

Albin Kurti e Glauk Konjufca, dy figura të rëndësishme të opozitës së dikurshme, sot njëri kryeministër e tjetri kryeparlamentar, nuk po arrijnë ta mbajnë asnjë fjalë që e thanë si opozitarë. 

Zotimet e tyre se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, që ata e quanin me termin serb “Zajednica” se nuk do të bëhet kurrë tashmë kanë mbetur vetëm fjalë, shkruan Demokracia.com.

Javë më parë, Kurti në Bruksel në një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, u pajtua që ta pranojë propozimin evropian, i njohur si plani franko-gjerman, i cili e parasheh edhe krijimin e “Zajednicës”.

Por, dje kryeministri Kurti gjatë një vizite në Kamenicë, tha se janë duke shqyrtuar 15 modele për Asociacionin.

Ai tha se nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare në Bashkimin Evropian do të kërkohen elemente edhe për pakicat në Kosovë që të jenë në nivelin e duhur.

“Modelet e prezantuara nga përfaqësuesi evropian Lajçak janë zgjidhje të ndryshme për pakicat kombëtare në vendet e Bashkimit Evropian. Janë 15 gjithsej të njohura. Nuk përmend asnjë të vetme që të mos rrezikohet ose të harrohet njëri prej tyre”, tha Kurti.

Mirëpo, siç shtoi Kurti, në vendet e BE-së dihet se, përveç popullatës shumicë, ka edhe minoritete dhe janë përmendur 15 raste të tilla, disa më të reja, disa më të vjetra dhe para ekzistencës së BE-së.

“Por, besoj se këto janë modele nga të cilat ne mund të marrim elementë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë”, theksoi Kurti.

Kurti tha se përderisa këto modele janë duke u eksploruar, nuk do të ketë kompromise në disa aspekte.

“Këshilltarët e mi, disa nga ministrat, merren me ta (modelet) për të parë se çfarë është më e favorshme. Sigurisht që kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që nuk cenohet askund”, tha Kurti.

Edhe Konjufca e ka pranuar krijimin e “Zajednicës”, ndonëse pak ditë para se Kurti ta pranonte ai kishte thënë se “Zajednica” nuk do të formohej kurrë në Kosovë.

“Zajednica nuk do të bëhet kurrë”, kishte thënë Konjufca.

Kur gazetari e kishte pyetur nëse ai mund të bëhet pa kompetenca ekzekutive, Konjufca e kishte mohuar në mënyrë kategorike.

“Unë mendoj që jo, nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrfarë asociacioni, as kësi, as asi. Sepse nëse është bashkim i komunave serbe, në çfarëdo mënyre, unë mendoj se nuk duhet të ndodh kurrë. Kështu besoj se edhe do të jetë”, kishte thënë Konjufca.

Më 18 mars, Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Takimi i cili do të mbahet me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, do të ketë për qëllim finalizimin e Aneksit Zbatues për Marrëveshjen e BE-së në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kurti dhe Vuçiq ranë dakord më 27 shkurt në Bruksel se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për tekstin e marrëveshjes së BE-së.