Pacolli përplaset ashpër me Daçiqin në Poloni: Ju i kryet masakrat në Kosovë, duhet të kërkoni falje

Një përplasje e ashpër ka ndodhur në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Varshavë të Polonisë në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj fjalës së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke thënë se i vetmi rol i Serbisë në procesin e zhvillimeve rajonale është ai i nxitjes së urrejtjes dhe dhunës.

Pacolli i ka përmendur Daçiqit, viktimat dhe masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë dhe shtetet tjera të Jugosllavisë, ndërkaq ka akuzuar liderët e Beogradit, se vazhdojnë edhe sot të mbështesin gjenocidin dhe kriminelët. Si shembull, Pacolli ka dhënë edhe deklaratat e disa zyrtarëve serbë në institucionet e Kosovës, që me urdhër të Beogradit, nëpër deklarime publike kanë shpallur heronj njerëzit që kanë kryer masakrën e Reçakut.

“Është pikërisht kjo mendësi që ka prodhuar luftërat në Ballkan. Ne nuk guxojmë që të lejojmë këtë diskurs të rrezikshëm për të ardhmen evropiane të rajonit, andaj Serbia duhet të ndalet. Ne jemi të përkushtuar për paqe dhe integrim në Evropë, por viktimat dhe plagët tona nuk guxon të na i prek askush. Kërkimfalja dhe dënimi i kriminelëve duhet të ndodhë”, thuhet të ketë qenë reagimi i Pacollit.