Pacolli konfirmon atë që raportoi Ballkani.info: Bejtush Gashi s’është më ministër

Sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli, konfirmon lirimin e detyrës nga Ministri aktual i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi.

Në një prononcim për Ballkani.Info, sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli, tha se do të ketë ndryshime të ministrave të AKR-së.

“Gjatë ditës pritet të ndryshojnë ministrat nga radhët e AKR-së, nuk dua të përmend emra veçanërisht, por dua të theksoj se AKR gjithmonë punon në interes të qytetarëve, kështu që kur qytetarët nuk kanë më interes nga një ministër, atëherë edhe ne bëjmë ndryshime”, tha Pacolli për Ballkani.info.

Rreth pyetjes se kush pritet të vijë në vend të Ministrit Gashi, Pacolli nuk deshi të zbuloj emra, por tha se pritet të jetë dikush i rajonit të Ferizajit.

“Nuk dua të përmend ndonjë emër, por ministri i ri pritet të vijë nga rajoni i Ferizajit” tha Pacolli më tutje.

Kujtojmë se më herët është spekuluar edhe për Ekrem Mustafën, anëtar i AKR-së, që pritet të vijë në vendin e ministrit aktual të MPB-së, Bejtush Gashit.

Ballkani.info gjatë ditës së sotme raportoi ekskluzivisht për shkarkimin e ministrit aktual të MPB-së, Bejtush Gashi. /Ballkani.info/