Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, gjatë ditës së djeshme është përplasur në vazhdimësi me qeverinë në detyrë Kurti.
E gjitha nisi pasi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se Pacolli nëse vendos të kthehet nga Zvicra në Kosovë, si edhe të gjithë qytetarët duhet të vendoset në karantinë dy javore.
Por kjo e acaroi Pacollin i cili e quajti diktatoriale Qeverine Kurti, duke thënë se po e pengon të kthehet në vendlindje.
Megjithatë Pacolli dje nga Zvicra dje ateroi në aeroportin e Tiranës dhe më pas u raportua se mori rrugën me veturë për në Prishtinë.
Mbrëmë vonë Myzejene Selmani bashkëpartia e Pacollit, shkruajti në Facebook, “mirësevjen z.Behgjet Pacolli, deputet në Kosovë”, duke lënë të kuptohet se kreu i AKR-së ka hyrë në Prishtinë.
Ndërsa Pacolli dje sfidoi qeverinë në detyrë dhe për më tepër e quajti diktatoriale, ai saktësisht më date 5 prill sa ishte në Zvicër, bënte thirrje që të respektohen thirrjet e institucioneve, pasi pohonte se virusi është jashtëzakonisht i rrezikshëm.
“Nuk ka mungesë më të madhe sesa për familje dhe atdhe. Me mijëra bashkatdhetar mezi presin të kthehen në vendlindje. Por situata është kjo dhe ne duhet ti respektojmë thirrjet e institucioneve, dhe të presim. Ky virus është jashtëzakonisht i rrezikshëm”, kishte shkruar ai.

Mbetet të kuptohet sot nëse Pacolli është rikthyer në Prishtinë dhe nëse do të vendoset në karantinë apo jo.







