Paçarizi: Kalimi i Nismës do të bëjë ndryshim, kjo parti do kërkonte mundësi për t’u futur në qeveri

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë se është pritur që një përqindje të madhe të votave nga diaspora të shkojnë për Vetëvendosjen.

“Ka qenë e pritur dhe është diskutuar shumë se votat nga diaspora do të shkojnë te Vetëvendosja dhe ky parashikim po del i saktë sepse deri tani ka marrë rreth 50 për qind”, tha Rrahmani në Klan Kosova.

“Te partitë e tjera përqindja është shpërndarje pothuajse njëjtë. Nisma del në përqindje më mirë se AAK-ja dhe PDK-ja, por gjithsesi është pritur që VV do të ketë më shumë vota”.

“Shpresat e Nismës janë të mbështetura te votat e diasporës, por pritet që diçka të lëvizë sepse rajoni që voton për Nismën është rural dhe kanë mundur të votojnë në Prishtinë”.

“VV ka punuar shumë me diasporën dhe është një rezultat i pritur. Mërgimtarët janë në masë të madhe nga rajoni që e votojnë Nismën. Por te VV-ja mund të reflektojë në thellimin e distancës”.

Paçarizi në Analiza Zgjedhore tha se Nisma nëse e kalon pragun pas numërimit të votave të mbetura do të kërkonte të gjitha mundësitë për të hyrë në qeveri.

“Kalimi i Nismës sigurisht që do të bëjë ndryshim sepse besoj që kjo parti do të përfshihej në qeveri dhe ajo nuk do të deklarohej që do të mbetej në opozitë por do të kërkonte mundësitë për t’u futur në qeveri”.

“Nisma duket që e ka një afri më të madhe me LDK-në dhe kjo do ta lëvizte pak raportin e forcave ndonëse VV dhe LDK janë marrë vesh tanimë. Nëse hyn Nisma është një ndryshim më radikal, por edhe pa hyrë Nisma fakti që VV i ka marrë diku 3500 vota më shumë se LDK-ja ia jep një kartë më të fortë te qeverisja dhe sigurisht që do ta zbrapsë paska LDK-në nga ato pritjet se do t’i vazhdojnë bisedimet pas numërimit të votave”.

“Kjo për shkak se hendeku mes të parit dhe të dytit me këto rezultate është thelluar dhe LDK-ja më nuk besoj që ka pretendime se mund të dalë e para, prandaj kjo e nxit LDK-në që t’i shpeshtojë bisedimet me VV-në për të mos u vonuar në formimin e qeverisë”.