Pa ngrohje, ujë dhe në varfëri të skajshme, jeta e mjerueshme e rusëve vetëm 180 km larg Moskës

Vetëm 182 kilometra nga Moska, në rajonin e  Tverit, vijnë pamje të mjerueshme të jetesës së popullsisë ruse.

Banorët e këtij rajoni nuk kanë as kushtet elementare për jetesë.

Këta banorë jetojnë në varfëri të skajshme, duke numëruar çdo qindarkë dhe përballen me mungesën e energjisë elektrike, gazit, kanalizimit dhe ujit të ngrohtë, raporton Gazeta ruse “Novaya Gazeta”.

“Në këtë pjesë të vendin, autoritetet ruse as që janë të interesuara të investojnë. Ne po përballemi me kushte më elementare të jetesës. Jetojmë si në kohën e gurit dhe nuk kemi qasje as në kanalizim”, thotë Svetlana Razorotneva, banore e këtij rajoni.

“Për t’iu siguruar popullsisë ngrohje, ujë, gaz dhe furnizime të tjera organet e vetëqeverisjes lokale praktikisht nuk kanë fuqi – as financiare dhe as organizative – në mënyrë që të përmbushin disi këto kërkesa të banorëve”, thotë Andrey Shirokov kryetar i Dhomës Ruse për Sipërmarrjen në Sektorin e Banesave dhe Shërbimeve Komunale.

Banorëve iu është thënë nga autoritetet ruse se deri në vitin 2023 do të jetojnë në kushte të tilla.

“Na thanë që deri në vitin 2023 do të jetojmë këtu pa gjithçka – pa ngrohje, pa ujë dhe kanalizime dhe pa gjëra tjera elementare. Nuk kemi asgjë: në vend të tualetit ka një gropë skeptike, ne shkojmë te pompa e ujit për tu furnizuar me ujë, ngrohemi me dru, pa asnjë lehtësim”, thotë një banor tjetër që nuk deshi t’i përmendej emri.

Varfëria është ekstreme në këtë rajon, shkruan gazeta. Njerëzit jetojnë me më pak se një dollar në ditë dhe nuk kanë asnjë kusht elementar për jetë. Papunësia po ashtu është enorme, por edhe ata që punojnë marrin afër 100 dollar në muaj, që nuk iu mundëson as mbulimin e një jave me gjëra elementare, përfundon shkrimi i kësaj gazete ruse. /Ballkani.info/